Sequi takon Ramën: Integrimi të jetë objektiv kombëtar

Ndërkohë që debati në Komisionin e Ligjeve vazhdon, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, ka nxituar të takojë liderin e PS-së, Edi Rama sot në mëngjes.
 
Në një prononcim për mediat, pas takimit, ambasadori Sequi e ka cilësuar si kontruktiv takimin me kreun e PS-së.
 
“Ne diskutuam për situatën aktuale në vend, duke marrë parasysh që Komisioni Europian do të nxjerrë raportin e progresit për Shqipërinë në muajin tetor. Takimi ishte kontruktiv dhe do të thoja si zakonisht. Unë jam i bindur se PS do luajë një rol konstruktiv për të ecur përpara, në rrugën e integrimit shqiptar”, është shprehur Sequi.

I pyetur rreth projektligjit të debatueshëm për Gjykatën e Lartë, Sequi theksoi se pavarësisht debateve në fund edhe kjo reformë do të ketë sukses.
“Mund të them që reforma të rëndësishme si ajo zgjedhore dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit ishin me një fund të suksesshëm.”

Ai gjithashtu ka vlerësuar rolin e opozitës për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian. “Vura re vullnetin e opozitës për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe jam i sigurt, që në të ardhmen do të luajë një rol progresiv dhe kontruktiv për të ecur përpara drejt integrimit. Unë jam një njeri që kam besim në ndërgjegjësimin e politikës, që integrimi është një prioritet për Shqipërinë dhe kjo do të mbetet në qendër”, shtoi Sequi./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button