Emiratet e Bashkuara Arabe ndihmojnë procesin e njohjeve

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Në këtë takim, Ministri Hoxhaj ka falënderuar Ministrin e Emirateve për mbështetjen që ky shtet i ka dhënë popullit të Kosovës para dhe pas shpalljes së pavarësisë.

Hoxhaj ka kërkuar edhe më tutje përkrahjen e Emirateve të Bashkuara në përmbyllje e procesit të njohjeve për Republikën e Kosovës.

Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, ka siguruar Ministrin Hoxhaj se Emiratet e Bashkuara Arabe do të shtrijnë ndikimin e tyre të fuqishëm në shumë vende arabe për të pranuar pavarësinë e Kosovës.

Në këtë takim, dy ministrat kanë diskutuar edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, sidomos në fushën e bashkëpunimit ekonomik.
Me këtë rast, Ministri Hoxhaj ka ftuar investitorët e këtij shteti që të investojnë në Republikën e Kosovës.

Dy ministrat janë pajtuar se duhet të ketë intensifikim të marrëdhënieve sidomos në fushën e tregtisë, shëndetësisë, edukimit, energjetikës dhe infrastrukturës. 

Lajme të ngjashme

Back to top button