Apple vjedh orën e hekurudhës zvicerane

“Apple vjedh orën e hekurudhës zvicerane”. Ky është kryeartikulli i gazetës helvetike, ‘Blick am Abend’, që drejton gishtin për plagjiaturë ndaj gjigantit të teknologjisë së fundit dhe iPad të tij.
Ora e famshme, të cilën hekurudha zvicerane e mban si simbol disavjeçar me krenari të veçantë, duket se është “kopjuar” nga Apple në formë identike.

Kompania amerikane ka vendosur orën me akrepin e vogël të sekondave me teh të kuq në sistemin e ri në iPad-in e saj, iOS 6. Hekurudhat zvicerane janë të zemëruara nga fakti se Apple ka përdorur pa autorizim atë që e konsiderojnë si simbol dhe krenari të tyre, prandaj kanë vendosur të përballen në rrugë ligjore tashmë me gjigantin teknologjik.

Ora që përdoret në stacionet hekurudhore zvicerane është modeluar në vitin 1944 nga inxhinieri gjerman Hans Hilfiker. Ajo që e dallon dhe e bën unike këtë lloj ore është pikërisht tehu i kuq i akrepit të vogël të sekondave me pjesën fundore në formë rrethi, e cila u vendos në vitin 1955 dhe ka mbetur e pandryshuar që nga ajo kohë.

 “Është identike deri në detajet më të vogla me orën tonë”, – thotë zëdhënësi i hekurudhave zvicerane, i cili paralajmëron ndërmarrjen e hapave ligjore ndaj ‘Mollës’. Ndërkohë, asnjë reagim nuk ka ardhur deri më tani nga Apple lidhur me akuzat për plagjiaturë.

  

Lajme të ngjashme

Back to top button