Pacolli do të paditet për mashtrim dhe falsifikim

Zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli, së shpejti pritet të përballet me organet e drejtësisë, nën dyshimin se ka kryer vepër penale përmes falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit të institucionit shtetëror.

“Dosja Pacolli”, tashmë është bërë gati nga Agjencia e Kosovës Kundër Korrupsionit dhe brenda pak ditësh parashihet të procedohet në gjykatë. Zyrtarë brenda AKK-së, kanë konfirmuar për Kohën Ditore se Pacolli ka qenë duke u hetuar për shkak të dyshimeve se kishte ofruar dokumentacion jovalid, gjatë kohës kur hetuesit e agjencisë kanë qenë duke i analizuar disa memorandume që vitin e kaluar ai si njeriu i dytë i Qeverisë i kishte nënshkruar në Nigeri, në emër të bizneseve evropiane. 

Faktikisht, Pacolli, asokohe, ka qenë duke u hetuar për konflikt interesi. Mirëpo tani, sipas burimeve të gazetës, lënda Pacolli ka marr një trajtë krejt tjetër.

“Ndaj Pacollit kanë pushuar hetimet për konflikt interesi. Ai tani është duke u hetuar penalisht për mashtrim dhe falsifikim dhe brenda javës së ardhshme do të ngritet proceduara gjyqësore ndaj tij”, ka thënë një nga zyrtarët e AKK-së. Rastin Pacolli, sipas tij, ka shume gjasa që ta marrë EULEX-i, pasi konsiderohet si rast i rënd. /Koha Ditore

Lajme të ngjashme

Back to top button