Shkëndi-Teteks, policia kërkon korrektësi nga tifozët

Para ndeshjes së nesërme në mes ekipeve të Shkëndijës dhe Teteksit Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka dalë me një apel drejtuar grupeve të tifozëve nga të dy ekipet për anim korrekt. 

“SPB e Tetovës apelon deri tek tifozët e dy ekipeve të ligës së parë, që në mënyrë korrekte dhe sportive të përkrahin ekipet e tyre, pa fyerje të rënda dhe brohoritje në baza etnike dhe të përmbahen nga pjesëmarrjet në incidente”, thuhet në apel. 

Policia e Tetovës, rikujton tifozët që të sillen në mënyrë të disiplinuar, të mos bien pre e provokimeve dhe të mos shkaktojnë dhunë sepse do të ndëshkohen me sanksione ligjore.

“Tifozët të cilët në mënyrë individuale ose grupore do të iniciojnë ose do të jenë pjesëmarrës në incidente, do të dënohen sipas ligjit për pengim të dhunës dhe sjellje të pahijshme në ndeshje sportive, kurse varësisht përmasat e pasojave në incident, mundet që edhe penalisht të ndiqen”, qëndron në apelin e Policisë së Tetovës. 

Nga policia njoftojnë se janë marrë masa dhe aktivitete sigurie që ndeshje të zhvillohet në kushte normale ndërsa tifozëve u bëhet thirrje që të përmbahen nga incidentet. 

Ndryshe, ndeshjet ndërmjet rivalëve lokal Shkëndija dhe Teteks, shpesh herë kanë sjellë në pikëpyetje raportet ndëretnike në qytetin e Tetovës, të banuar me shumicë shqiptare.  Në këto ndeshje tifozët e Shkëndijës “Ballistët” dhe “Vojvodët”, e Teteksit, shkëmbejnë thirrje dhe brohoritje në baza etnike kurse pas ndeshjeve ka ardhur edhe deri tek incidente edhe rrugëve të qytetit. Kjo ka bërë që këto ndeshje të zhvillohen me prezencë të madhe të forcave policore nga Shkupi dhe qytetet tjera të Maqedonisë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button