Jahjaga në SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në manifestimin e shënimit të 16-vjetorit të aktivitetit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC).

“Kontributi i juaj – shqiptarë të Amerikës – gjithmonë ka qenë i rëndësishëm gjatë të gjitha periudhave të historisë sonë. Ju si qytetarë të SHB-ve më së miri e njihni shpirtin amerikan, vendosmërinë dhe përkushtimin, idealin e lirisë dhe të demokracisë, të cilat vlera i shpërndatë në atdheun Tuaj duke qenë sot parime bazë, që na qojnë përpara”, tha Jahjaga në fjalimin e saj, ku të pranishëm ishin edhe presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker, ambasadorja amerikane në OKB, Rosemary A. DiCarlo, kongresisti Eliot Engel, ambasadori Frank Wisner etj.

“Me nderim të thellë i kujtojmë sot duke i pasur udhërrëfyes në rrugën tonë të gjithë ata veprimtarë, të gjitha ato shoqata, klube e organizata që bënë punë patriotike – njëkohësisht duke punuar e jetuar si qytetarë të devotshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne të gjithë jemi të përkushtuar për vizionin tonë për një të ardhme më të mirë për popullin tonë”.

Presidentja përmendi edhe luftëtarët e batalionit “Atlantiku”, “që kapërcyen oqeanin për t’i dalë zot Kosovës”.

“Rruga jonë drejt lirisë ishte plot sakrifica, që kulmin e arriti me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të komandantit legjendar Adem Jashari, të bijve dhe të bijave më të mira të atdheut. Platforma jonë politike, internacionalizimi i çështjes së Kosovës, u bë në sajë të lëvizjes intelektuale dhe gjithëpopullore të udhëhequr nga Presidenti i parë i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, që me programin largpamës për liri, pavarësi dhe demokraci, mobilizoi popullin me politikën aktive paqësore”.

Jahjaga tha se nëse shekulli XX mbahej mend për shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar, shekulli XXI shënohet me shpalljen e pavarësisë së Republikës se Kosovës.

“Këto dy vepra madhore patën sukses fal ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidentëve Wilson, Clinton dhe Bush dhe miqve tanë ndërkombëtarë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button