Vetëvendosja: Serbia me politika të trashëguara nga Milosheviçi

Lëvizja Vetëvendosje ka komentuar të premten vendimin e gjykatës serbe për dënimin me 116 vjet burg të 11 ish-anëtarëve të UÇK-së.

Përmes një njoftimi për shtyp, partia e dytë më e madhe opozitare e Kosovës ka deklaruar se vendimi në fjalë tregon se, Serbia po qeveriset nga pasardhësit e Sllobodan Millosheviç.

“Shteti i Serbisë denoi me 116 vite burg 11 pjesëtarë të UÇK-së. Gjykata e Lartë në Beograd, ashtu sikurse i tërë aparati shtetëror serb, ende mbetet instrument në duart e pinjollëve të Milosheviçit, në funksion të persekutimit të shqiptarëve dhe me të vetmin synim: spastrimin e heshtur të tyre”, ka deklaruar Vetëvendosje.

Lëvizja e drejtuar nga Albin Kurti ka shënjestruar edhe krerët e qeverisë së Kosovës, për faktin se ata po shprehin gatishmërinë që të takohen me “pinjollët” e kasapit të Ballkanit.

“I gjithë ky persekutim i organizuar shtetëror serb po zhvillohet në sfondin e përpjekjeve të vazhdueshme të krerëve të Republikës së Kosovës për t’i takuar përfaqësuesit e Serbisë drejt rifillimit të negociatave, në të cilat pritet që temë e re të jetë edhe një pjesë e territorit të vendit tonë, veriu i Kosovës”, ka thënë më tej Vetëvendosje.

“Kjo tregon se sa të shantazhuar janë politikanët tanë. Serbia nuk ka shlyer asnjë borxh ndaj nesh për veprimtarinë e saj kriminale, Serbia vazhdon ta destabilizojë Kosovën me strukturat e saj të paligjshme brenda vendit. Ajo po e spastron Luginën e Preshevës me një represion dhe diskriminim të paparë në Evropën e sotme, kurse qeveria e Kosovës rri gjithnjë në gjendje gatishmërie për negociata të reja me të”, vijon më tej deklarata, në të cilën kritikohet edhe BE-ja për mbështetjen që po i jep Serbisë.

“Ndërkohë që BE-ja na shet deklarata të tipit ‘e vlerësojmë lart përparimin e Serbisë në konsolidimin e demokracisë dhe stabilitetin e institucioneve drejt integrimeve evropiane’”, thuhet më tej në reagimin e Vetëvendosjes.

Lajme të ngjashme

Back to top button