Rufi Osmani takohet me Albin Kurtin, diskutuan për padrejtësitë ndaj shqiptarëve

Sot Lëvizjen VETËVENDOSJE! e vizitoi një delegacion nga Rilindja Demokratike Kombëtare në Maqedoni. Delegacioni përbëhej nga kryetari Rufi Osmani, deputeti Izet Zeqiri si dhe nga zëdhënësi Artan Dika. Ky delegacion u prit nga kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, deputeti Glauk Konjufca si dhe nga Sekretari për marrëdhënie me jashtë, Xhelal Sveçla.
 
Në këtë takim u diskutua për problemet e shqiptarëve në Ballkan përgjithësisht, e veçanërisht për problemet e shqiptarëve të shtypur në Maqedoni.
 
Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani tha se shqiptarët në Maqedoni po diskriminohen si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë ekonomik e në fushën e investimeve. Për këtë arsye, shqiptarët duhet të faktorizohen jo vetëm si numër por edhe si vlerë, si në Shkup ashtu edhe në qytetet tjera të Maqedonisë.
 
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, foli për domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes shqiptarëve në të gjitha trojet ku jetojnë ata, e sidomos të shqiptarëve në Maqedonisë dhe në Luginë të Preshevës. “Pavarësisht dallimeve që mund të kenë mes veti, e përbashkëta është shumë më e rëndësishme. Kombi shqiptar duhet të bashkohet, për shkak se prej feudalizmave e ndarjes nëpër zona, na shpëton veç kombi.”, u shpreh ai.
 
Si problem esencial i shqiptarëve u cilësua niveli jo i mjaftueshëm i bashkëpunimit mes politikës dhe interesit shqiptarë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Bashkërendimi i politikave dhe i aktiviteteve do të çonte në faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan, si në sferën politike, ashtu edhe në atë ekonomike, sociale, kulturore e arsimore. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button