Vritet një shqiptar në Greqi, policia heton rastin

Një i ri shqiptar ka mbetur i vdekur pasi u qëllua me armë zjarri nga persona të panjohur, në një atentat që siç raporton noa.al, policia e cilësoi tipik mafioz.
 
Ngjarja ndodhi në orët e para të ditës së premte në lagjen “Peristeri” të kryeqytetit grek, Athinë. Viktima është një djalë 28 vjeçar, emigrant shqiptar prej vitesh në vendin fqinjë.
 
Rreth orës 03.00 të mëngjesit, 28 vjeçari gjendej në makinën e tij duke u kthyer në shtëpi, kur në ecje e sipër u qëllua nga dy persona të cilët gjendeshin në një motor.
 
“Njëri nga dy personat zbriti nga motori dhe e qëlloi me breshëri automatiku 28 vjeçarin që gjendej në timonin e makinës, në momentet që makina kishte ndaluar në semafor, në kryqëzimin e rrugës Lasanis”, – citon noa.al, burime zyrtare të policisë së Athinës. Ata shtuan se në vendngjarje u gjendën dhjetë gëzhoja plumbash Kallashnikovi.
 
Policia duke folur për hetimet e para tha se ky ishte një ekzekutim mafioz që besohet se erdhi për larje hesapesh. Nga dosja e viktimës u zbardh se gjashtë vjet më parë ai ishte arrestuar për grabitje të kryer në Athinë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button