Protestat anti-film, shumë vende në alarm

Forcat e sigurisë në vendet me popullsi muslimane përgatiten për protesta të tjera kundër filmit që fyen profetin Muhamed. 

Një ditë më parë, qeveria u detyrua të aktivizonte ushtrinë për të vendosur sigurinë përreth ambasadës amerikane në Islamabad. Protestuesit para selisë diplomatike thërrisnin “Vdekje Amerikës”. Policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për t’i shpërndarë ata, por pa ia arritur qëllimit.

Aktivizimi i ushtrisë shpërndau turmën anti-amerikane dhe pas orësh të tëra përleshje, autoritetet njoftuan shpërndarjen paqësore të protestuesve. Nuk u raportua asnjë viktimë.

Ndërkohë, në Egjipt masa ekstra sigurie janë vendosur në të gjitha selitë diplomatike perëndimore, vecanërisht në ambasadën amerikane dhe atë franceze pas publikimit të karikaturace të profetit Muhamed nga një revistë satirike në Paris.

Të paktën 20 persona kanë gjetur vdekjen nga protestat kundër filmit “Pafajësia Muslimane”, mes tyre edhe 4 diplomatë amerikanë në Bengazi të Libisë, përfshirë këtu ambasadorin Chris Stivens. Filmi me buxhet të ulët qarkullon në internet prej muajit korrik, ndërkohë që një gjykatë në Florida refuzoi padinë e një aktoreje të tij për ta hequr nga Youtube.

Aktorja pretendonte se ishte mashtruar nga regjisori i filmit që nuk i kishte treguar se për se bëhej fjalë dhe vec heqjes së filmit nga interneti, kërkoi dhe dëmshpërblim. Jeta ime ka marrë një tjetër udhë, tha ajo. Kam marrë shumë kërcënime dhe më vjen keq sepse nuk e kam ditur se përse bëhej fjalë në film. Kujtova se po xhironim një aventurë në shkretëtirë, tha aktorja Cindy Lee Garcia. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button