Kujt dhe pse i pengon himni kombëtar?!

Intonimi i himnit kombëtar shqiptar me rastin e fillimit të vitit akademik 2012/2013 në Universitetin Shtetëror të Tetovës hasi në reagime të ashpra dhe zuri vend të konsiderueshëm në mediat maqedonase. Himni kombëtar përdoret nga shqiptarët gjithmonë, ngado qofshin, ndërsa problematizohet vetëm tani.  Zëdhënësi i USHT, Selam Sulejmani për Portalb tha se kush e ndjen veten shqiptar gjithnjë e këndon himnin dhe se nuk sheh asnjë problem në këtë sjellje.

“Që kur lindin shqiptarë e këndojnë himnin dhe këtë e dinë të gjithë” ka thënë Sulejmani.

Ndërkaq, analistët këtë e shohin si selektim të ngjarjeve për nevoja të politikës ditore dhe përdorim të institucioneve për qëllime partiake, një tendencë që kohëve të fundit është “në modë”.

“Vitin e kaluar në hapjen solemne të fakulteteve të disperzuara në Kërçovë, manifestimi kulturor filloi me himnin kombëtar. Prezent në atë manifestim ishin edhe Antonio Milloshoski dhe Ministri i sotshëm i Arsimit dhe Shkencës, Pançe Kralev. Ato u ngritën dhe respektuan himnin kombëtar. Ndërsa këtë vit kur intonohet himni kombëtar në USHT atyre u pengon, që nënkupton se ata shkojnë sipas politikës ditore dhe sipas politikës mirë të njohur sllave se ata mund të ndryshojnë brenda ditës dhe nuk janë konsekuent në ndërtimin e shtetit me shqiptarët dhe kanë paragjykime për të ardhmen e këtij shteti duke dëshiruar të bëjnë një shtet  etnik dhe jo të ndajnë kulturën e historinë me komunitetet tjera në Maqedoni. Ato dëshirojnë ta mbajnë ekskluzivitetin dhe jorastësisht reagimet e tyre janë në këtë vijë. Ato ndryshojnë sipas momentit dhe politikës ditore” – thotë historiani Skender Asani në një prononcim për Portalb.

Analisti Ibrahim Mehmeti potencon si problem kryesor keqpërdorimin e institucioneve shtetërore nga partia kryesore qeveritare për të ngritur bujë për çështje që i shërbejnë politikës së tyre ditore, duke shtuar se ata e bëjnë këtë çdoherë kur mendojnë se ka nevojë.

“E gjithë kjo famë që ngritet rreth temave të fundit duke përfshirë çështjen e himnit kombëtar është në vargun e betejave politike ndërpartiake mes partnerëve të koalicionit dhe kjo është edhe një demonstrim i pozicioneve, se kush çka mund të bëjë. Kjo nuk është aspak e dobishme për punën e qeverisë në përgjithësi, por kjo është mënyra që kanë zgjedhur partnerët e koalicionit. Reagimi është selektiv dhe bëhet sipas nevojës. Prandaj kur VMRO mendon se duhet të problematizojë një çështje atëherë e problematizon, nëse mendon se nuk duhet atëherë nuk e bën këtë gjë. Kjo është përdorim i institucioneve të shtetit për nevoja partiake, ky është problemi kryesor” – thotë Mehmeti.

Çështja e intonimit të himnit kombëtar do të procesuohet edhe institucionalisht. Këtë dje e paralajmëroi prokurori publik Lupço Shvërgovski ndërkaq sot ministrja e brendshme Jankullovska tha se të dhënat e duhura Ministria që ajo drejton do t’ia dorëzojë tij.

“Lidhur me informacionet e disa mediave se është intonuar himni i një shteti të huaj në USHT, Prokuroria Publik ka hapur sipas detyrës zyrtare lëndën për veprën penale ‘shkaktimin e urrejtjes nacionale, racore dhe fetare, përçarjes dhe intolerancës’ sipas nenit 319. Përmes kësaj lënde, do të kërkojmë nga policia të na i dorëzojë të gjitha video materialet dhe vërtetojë se kush ka qenë organizator që të mund të fillojmë me shqyrtimin e lëndës dhe të vendosim nëse do të ngremë procedurë penale”, ka deklaruar Shfërgovski./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button