Chelsea – Juventus 2:2

Kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve, Chelsea dhe skuadra e rikthyer në garën e madhe evropiane, Juventus, janë ndarë baras, 2-2, në ndeshjen e parë të fazës grupore që u zhvillua të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge.

Skuadra vendase e filloi më mirë takimin duke bërë presion që në minutat e para, mirëpo shumë shpejtë bardhezinjtë u inkuadruan në lojë dhe filluan të dominonin me posedimin e topit.

Blutë patën disa raste të paqarta në zonë, pas krijimit të tollovive para portës mysafirë, mirëpo nuk u shfaqën të rrezikshëm.

Rastin e parë të vërtetë në ndeshje e pati Claudio Marchisio, i cili dështoi të shënonte ballë për ballë me Petr Cech. Një rast tjetër për të shënuar e pati Mirko Vucinic, por goditja e tij përfundoi jashtë.

Dhe erdhi momenti i Oscar. Eden Hazard ia pasoi topin brazilianit, i cili goditi nga distanca, topi u devijua nga Bonucci dhe përfundoi në rrjet (31’) për epërsinë e parë.

Vetëm dy minuta më pas, i magjishmi Oscar e la nën hije Andrea Pirlon dhe e la të pashpresë Gigi Buffonin duke shënuar një supergol (33’).

Pas golave të pësuar Bianconerët e morën iniciativën. Lojtari që gjatë gjithë pjesës së parë ankohej për dhimbje, Arturo Vidal, i ktheu mysafirët në lojë me një goditje precize (38’).

Gjysma e dytë e takimit u zhvillua me një dominim të lehtë të skuadrës mysafire, e cila ishte në kërkim të golit të barazimit. Ndërkohë që vendasit prisnin rastin e tyre nga kundërsulmet për të ndëshkuar.

Juan Mata pati një shans të bukur për ta vendosur ndeshjen, mirëpo goditja e tij përfundoi jashtë.

Menjëherë pas, Marchisio dërgoi një superpasim në zonë, të cilin e pranoi i porsainkuadruari në ndeshje Fabio Quagliarella dhe me qetësi e futi topin nën këmbët e Cech për ta barazuar rezultatin (80’).

I njëjti futbollist ka mundur t’i ktheje bardhezinjtë me tri pikë të plota në shtëpi, por pas goditjes së tij, topi preku vetëm transversalen.

Në takimin tjetër të Grupit E, Shakhtar Donetsk ka fituar me rezultat 2-0 kundër Nordsjaelland dhe i prin këtij grupi. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button