Lexoni detajet, ja se si e vranë kryekomisarin Adem Tahiraj

NOA.al sjell detajet e vrasjes së kryekomisarit Adem Tahiraj. Bllokimi i automjetit pa dokumente, sherri i shoferit me Ilir Xhakjan dhe vrasja e kryekomisariat të Shijakut, Adem Tahiraj janë tre etapat e ngjarjes së 13 shtatorit 2012 në fshatin Katund i Ri i cili tronditi Policinë Shqiptare.
 
Ngjarja e cila përfundoi me vetëdorëzimin e autorit të dyshuar, Ilir Xhakja rreth tetë orë pas krimit. Gjithçka nisi për bllokimin e automjetit të nipit të Ilir Xhakjas.
 
Ledjan Krasnaj, 16 vjeç po udhëtonte në fshatin Katund i Ri me automjetin e tij kur u ndalua nga policia. Gjatë verifikimit rezultoi se mjeti nuk posedonte dokumentet përkatëse dhe për këtë arsye do të bllokohej në komisariat. Shefi i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj i shoqëruar nga shoferi i tij Fatmir Hoxha dhe nga dy punonjës policie vendosi bllokimin e makinës. Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA.al se makina u transportua në komisariat e shoqëruar nga njëri prej punonjësve të policisë që shoqëronte kryekomisarin. Krasnaj njoftoi dajën e tij për bllokimin e makinës i cili mbërriti menjëherë në vendin ku ndodheshin dy makinat e policisë.
 
Ilir Xhakja u ndërpreu rrugën me makinë dy makinave të policisë dhe iu afrua automjetit të policisë që drejtohej nga shoferi i kryekomisarit. Mësohet se një i afërm i Fatmir Hoxhës kishte konflikte të vjetra me Xhajkën. Për këtë arsye ky i fundit pretendoi se bllokimi i makinës ishte tendencioze.
 
Sipas burimeve policore, Xhakja iu vërsul shoferit, Fatmir Hoxha të cilin dyshohet se e ka shtyrë gjatë një debati me fjalë.
 
“Çfarë halli ke që merresh me ne. Për çfarë e bën këtë?” Mësohet ti jetë drejtuar Xhakja shoferit. Menjëherë ka dalë nga makina shefi i komisariatit, Adem Tahiraj i cili ka nxjerrë pistoletën dhe i është drejtuar Xhakjas. “Shoferin tim dhunon? Ne po bëjmë detyrën. Makina nuk ka dokumente dhe do të bllokohet”, – mësohet të ketë thënë kryekomisari. Ndërkohë që sherri u përqendrua mes Tahirajt dhe Xhakjas të cilët në debat e sipër kanë ecur në këmbë disa metra larg makinës. Pasi ka rënë tonet e ashpra të debatit, Tahiraj i tha Xhakjas se “Do shihemi prapë, do ta shohësh kush jam unë” ndërsa futi pistoletën në brez dhe i ktheu shpinën për të shkuar drejt makinës së tij.
 
Në këtë moment Xhakja i drejton pistoletën dhe e qëllon Tahirajn me tre plumba. Menjëherë ka reaguar shoferi i cili ka mbajtur në krahë shefin e tij i cili po rrëzohej në tokë.
 
Mes ulërimave të shoferit, Xhakja dyshohet se është afruar sërish dhe ka qëlluar edhe dy herë mbi kryekomisarin i cili tashmë ishte në krahët e shoferit të tij. Më pas burimet policore tregojnë se Xhakja i drejtoi pistoletën edhe Fatmir Hoxhës, por banorët e shtëpive përreth kanë dalë duke iu lutur Xhakjas të qëllojë sërish.
 
Pak metra larg vendit të ngjarjes ndodhej punonjësi i policisë Kastriot Gosturani i cili sapo ka parë shefin të vritet, tmerruar u largua me shpejtësi drejt një banesë aty pranë. Në gjendje të rëndë psikologjike Gosturani tentoi të vriste veten por i zoti i shtëpisë mundi t’ia merrte pistoletën nga dora.
 
Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe një banore e zonës. Për krimin u njoftuan forcat e policisë të cilat mbërritën në vendngjarje për të identifikuar dhe kapur autorin. Burime jo zyrtare nga policia thanë për noa.al se mbrëmjen e së enjtes punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm mbërritën në ambientet e Komisariatit të Shijakut për të verifikuar planin e masave të këtij komisariati.
 
Sakaq nga policia shqiptare, mekanizmi i ngjarjes është rindërtuar disa herë për shkak të dëshmive të ndryshme të autorit dhe punonjësve të policisë, ndërsa në konsideratë është marrë edhe dëshmia e banorëve të cilët dolën në rrugë pasi dëgjuan debatin e ashpër mes dy palëve. a.b/noa.al

Lajme të ngjashme

Back to top button