Bejta: Decentralizimi bëhet për të gjitha komunat

Decentralizimi, Zhvillimi i Barabartë Rajonal dhe Komponta e dytë e IPA fondeve për bashkëpunimit ndërkufitar, ishin temat për të cilat Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Nevzat Bejta e njoftoi europarlamentarin dhe raportuesin e Maqedonisë në Parlamentin Evropian Richard Howitt, në një takim të zhvilluar në MVL, ku e pranishme ishte edhe përfaqësuesja e UNDP-së në Maqedoni Deirdre Boyd. 

Gjithashtu, u bë prezantimi i Planit të ri Akcional për implementimin e procesit të decentralizimit deri në vitin 2014, i cili buron nga programi për decentralizim dhe zhvillim të vetëqeverisjes lokale 2011-2014. Këtë program e ka përgatitur Ministria e Vetëqeverisjes Lokale në bashkëpunim me UNDP-në, dhe që është miratuar nga ana e qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

“Decentralizimi nuk bëhet vetëm qytetarët shqiptar, por bëhet për të gjithë qytetarët, bëhet për të gjitha komunat. Decentralizimi s’bëhet për qeveritarët, as për kryetarët e komunave por decentralizimi bëhet për interesat e përbashkëta të të gjithëve qytetarëve nëpër komuna. Nga decentralizimi kanë fituar të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë”, tha ministri Bejta.  

Në konferencën për shtyp, ministri Bejta tha se procesi i decentralizimit ngec në pjesën që ka të bëjë me zhvillimin e barabartë rajonal. 

“Ligji për Zhvillim të Barabartë Rajonal është miratuar në vitin 2007, por ende nuk zbatohet në praktikë dhe këtu ngec procesi i decentralizimit, Sipas këtij ligji, 1% e BPV-së duhet tu ndahet regjioneve nëpërmjet Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale. Nëse do të ndahen 1% nga BPV-ja në MVL, atëherë nëpërmjet Këshillit Nacional ku marrin pjesë tetë ministra dhe tetë kryetar të regjioneve që udhëhiqet nga Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, atëherë do u ndahej një pjesë e mirë mjeteve mbi 40 milion euro dhe në mënyrë të barabartë do të realizohen projekte të mëdha në tetë regjione e vendit”, deklaroi ministri Bejta.

Europarlamentari Richard Howitt, tha se edhe pse është bërë përparim në pjesën e financimit të komunave, megjithatë në këtë segment duhet punuar me tempo më të shpejtë në të ardhmen. 

“Edhe pse është bërë përparim i madh në financimin e qeverisjeve lokale, megjithatë sa i përket decentralizimit financiar më duhet të them se shteti juaj akoma është pas shteteve tjera të rajonit si Kosova, Mali i Zi dhe Serbia dhe duhet të realizohet sipas tempos vazhdimisht. Besoj se ekzistojnë sfidat edhe në komuna por edhe në vetë qeverinë. Sfida për komunat është menaxhimi transparent me fondet, por sfidat e njëjta janë edhe për qeverisjen qendrore, përfaqësimin e duhur dhe qasjen e duhur tek puna. Në të gjitha shtetet procesi i decentralizimit nuk duhet të kuptohet si transferim i kompetencave nga elita qendrore, në elitën lokale por ajo duhet të jetë decentralizim i vërtetë”, deklaroi europarlamentari Richard Howitt./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button