Albright do të shpallet qytetare nderi e Mitrovicës

Komuna e Mitrovicës dhe shoqata “Miqtë e Amerikës”, vazhdojnë bashkërendimin e aktiviteteve për të realizuar projektin që ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, të shpallet qytetare nderi e Mitrovicës.

Për këtë u bisedua në takimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicvës, Avni Kastrati, i cili i shoqëruar nga nënkryetari, Riza Haziri, priti në takim kryetarin e Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi. Ky propozim është bërë pikërisht nga kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, para disa muajsh në Mitrovicë.

Tani janë bërë hapat e parë në këtë drejtim, në mënyrë që të nderohet kjo figurë dhe ky personalitet që ka bërë shumë për çështjen e Kosovës.

Kryetari Kastrati ka shprehur respektin për punën e kësaj shoqate si dhe ka mirëpritur propozimin që ish-sekretarja Albright të shpallet qytetare nderi e Mitrovicës. Ai tha se kjo do të ishte nder për Mitrovicën dhe për Kosovën në përgjithësi.

Ai tha se ky propozim do të shtrohet në të gjitha strukturat komunale, në mënyrë që të procedohet me kohë.

“Ne do të angazhohemi që ky propozim të jetësohet, meqë kontributi për Kosovën i znj. Albright është shumë i madh”, theksoi ai.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, ka shprehur respektin për mikpritjen dhe mbështetjen e ofruar nga drejtuesit komunalë.

Ai u zotua për angazhim të gjithanshëm që të bëhet realitet ideja që zonja Albright të shpallet qytetare nderi e Mitrovicës. Në takim ai ka folur edhe për aktivitet tjera të shoqatës që ai drejton, e që ka për qëllim ruajtjen dhe avancimin e miqësisë së Kosovës me SHBA-në./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button