Pas inaugurimit, Zelensky shpalli zgjedhje të reja
Presidenti i ri i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare gjatë ceremonisë së inaugurimit të tij në Kiev.
Zgjedhjet kanë qenë të parapara për tetor të këtij viti, por Zelensky tha se po e shpërbën Parlamentin, transmeton REL.
Data e zgjedhjeve të reja nuk u specifikua ende.
Zelensky tha se përfundimi i konfliktit me separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës do të jetë prioritet i tij.
“Detyra jonë e parë është të arrijmë armëpushim në Donbas”, tha ai, duke iu referuar rajonit që kontrollojnë rebelët pro-rusë.
Luftimet midis forcave qeveritare dhe separatistëve në lindje të Ukrainës kanë nisur qysh në vitin 2014 dhe kanë marrë mbi 13,000 jetë njerëzish.
Zelensky, ish-yll i televizionit, ka luajtur rolin e presidentit të Ukrainës në një seri komedish.
Si kandidat pa përvojë politike, ai shënoi fitore historike në zgjedhjet e muajit të kaluar, duke mundur presidentin e deritashëm, Petro Poroshenko.
“Ne duhet të bëhemi islandezë në futboll, izraelitë në mbrojtjen e vendit tonë, japonezë në teknologji”, tha Zelensky gjatë ceremonisë së betimit.
Ai po ashtu tha se ukrainasit duhet “të bëhen zviceranë në aftësitë e tyre për të jetuar të lumtur me njëri-tjetrin, pavarësisht dallimeve”.