Fjalori i Gruevskit, në saje të diktaturës dhe fashizmit

Deklaratat e ditëve të fundit të kryeministrit Nikolla Gruevski, tipike për qeverisjen e tij viteve të kaluara, analistët i shohin si populizëm të tepruar dhe armë që çdoherë “dhez” kur është në pyetje rejtingu personal dhe partiak. Analisti Alajdin Demiri i konsideron këto deklarata si të egra dhe luftënxitëse.

“Deklaratat e Gruevskit ndaj shqiptarëve janë deklarata mohuese dhe nuk i ngjajnë një kryeministri. Janë deklarata të cilat ofrojnë zgjidhje të diktature, të një ofendimi dhe një rasizmi të ri. Si duket edhe ai nuk e kupton se nuk ka alternativa, alternativat e tij janë shumë të egra dhe janë luftënxitëse. Nuk e di çfarë në të vërtetë ai dëshiron, një qeveri pa shqiptarët, një qeveri tjetërfare, apo si don ta zgjedhë këtë çështje. Është kohë e fundit që rirreshtimi i partive politike shqiptare të ndodh dhe të ofrohet një variant i ri. Nuk i ngjan në asnjë mënyrë një politikani, aq më pak një kryeministri i cili dëshiron të instalojë dhunë” – thotë Alajdin Demiri.

Analisti maqedonas Petar Arsovski thotë se Gruevski me politikën e tij po sakrifikon bashkëjetesën multietnike në Maqedoni në llogari të rejtingut të tij personal dhe të partisë së tij.

“Fjalori i kryeministrit është fjalor i një populisti klasik. Ai është njeri që më së shumti interesohet për rejtingun e tij, dhe nuk është i interesuar të përballohet me punë jopopullore. Ndërtimi i demokracisë së vërtetë multikulturore në Maqedoni është punë jopopullore. Ajo kërkon kompromise, bashkëjetesë, kërkon diskriminim pozitiv, kërkon të investoni në ardhmëri. Shihet qartë se kryeministri mendon që ajo nuk ia përmirëson rejtingun. Ai është i përgatitur që në llogari të rejtingut të tij të sakrifikon demokracinë multikulturore” – thotë Arsovski për Portalb.

Sipas tij, tani më edhe partitë shqiptare nuk rrinë duarkryq ndaj këtij fjalori, ndërsa si tregues e përmend rastin e Sllupçanit dhe ata pas tij.

“Pas Sllupçanit shihet që edhe partitë shqiptare reagojnë. Ata mund të mos kenë fjalor të tillë, por shihet se partitë shqiptare qëndrojnë pas interesave të tyre, pas agjendës së tyre autentike. Qeveria maqedonase, kjo ose cila do e ardhshme, do të duhet të ballafaqohet me këtë autenticitet” – thotë Arsovski.

Për Mersel Bilallin fjalori i tillë është një mekanizëm mbrojtës kundrejt erozionit që po i ndodh Qeverisë Gruevski në thuaj se të gjitha sferat e qeverisjes së tij. Sipas tij, këto deklarata janë metodologji e veprimit të sistemeve diktatoriale dhe fashiste.

“Është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe që nga goja e kryeministrit të dërgohen mesazhe negative të cilat asocojnë në diskreditim kolektiv të një bashkësie etnike, dhe kjo tregon se ne ndeshemi me një sistem serioz i cili nuk disponon as me kapacitete elementare që të legjitimohet si shtet demokratik. Ndeshemi me një kërcënim e cila është metodologji e praktikimit të sistemeve diktatoriale, fashiste e kështu me radhë. Është shumë indikative se deri ku është durimi i njerëzve dhe i disa strukturave politike. Gruevski e bën jo se ka kapacitet të tepruar patriotik, por ai bën për kalkulime personale, partiake dhe në interes të rejtingut. Atij i ndodhi erozion në të gjitha segmentet, në aspektin ekonomik, social, marëdhënieve ndëretnike, në aspektin e integrimeve kështu që është i detyruar të vepron në atë formë” – deklaroi Mersel Bilalli./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button