Danaj: Politikanët shqiptarë që pranojnë fashizmin e Gruevskit s’janë më shqiptarë!

Kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj, deklaroi se fjalimi i Nikolla Gruevskit dhe mesazhet e tij përballë shqiptarëve në Maqedoni, kanë krijuar një situatë të re, të panjohur deri më parë.

“Kërcënimet e tij ndaj shqiptarëve se ata nuk duhet të kërkojnë më shumë se sa mund t’iu japë ai në shtetin e tij,  urrejtja e tij ndaj UÇK-së dhe dëshmorëve të saj  të vitit 2001, vendosmëria e tij për të mos u tërhequr nga kjo vijë përballë asnjë presioni, treguan dhe vërtetuan para opinionit publik shqiptar  në Maqedoni, përballë  bashkësisë ndërkombëtare se shovinizmi maqedonas nuk ka ndërmend të pranojë bashkëjetesë  mbi baza të barabarta  me shqiptarët. Në të kundërt, Gruevski foli hapur dhe thjesht. Ai I kërcënoi shqiptarët dhe politikanët shqiptarë”- u shpreh Danaj.

Sipas tij, Gruevski u shpreh hapur se nuk trembet, se nuk tërhiqet, se nuk mund të vendosë shenjën e barazimit midis branitellave dhe  ish-luftëtarëve të UÇK-së. Këta të dytët, ai nuk hezitoi ti konsiderojë terroristë.

“Në këto kushte, asnjë politikan shqiptar nuk duhet dhe nuk mund të pranojë të qeverisë apo të bashkëpunojë me një shovinist të egër, të pakorrigjueshëm, të pandreqshëm. Në këto kushte, politikanët shqiptarë në pushtet duhet të largohen nga qeveria nacional-socialiste e Gruevskit, politikanët shqiptarë në opozitë duhet të distancohen hapur nga fashizmi demokratik i Gruevskit, bashkësia ndërkombëtare duhet të deklarohet se e pranon apo jo fashizmin  demokratik  në gjirin e një Europe Demokratike”, theksoi Danaj.

Danaj vazhdoi duke thënë, se në kushtet e reja të krijuara pas deklaratës së Gruevskit, shqiptarët kanë vetëm një rrugë, të largohen edhe juridikisht nga kjo krijesë fashiste, të bashkohen me Shqipërinë, me trungun e tyre natyral.

“Ata politikanë  shqiptarë në qeveri,  që nuk e pranojnë një gjë të tillë, ata pushojnë së qeni shqiptarë, ata politikanë shqiptarë në opozitë që nuk deklarohen hapur për bashkim me Shqipërinë, ata nuk janë më shqiptarë. 

Maqedonia e Gruevskit duhet “te vdesë”. Bota demokratike duhet ta përshpejtojë këtë “vdekje” .  Kush bën përpjekje ta mbajë gjallë, në Bruksel apo në Uashington, ai apo ata përgatisin trazira dhe kaos në krijesën artificial me emrin Maqedoni dhe në mbarë rajonin”, ka shtuar Kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale

Lista për Shqipëri Natyrale, ju bën thirrje gjithë shqiptarëve në Maqedoni, të shkëpusin çdo kontakt në nivel qendror dhe lokal me regjimin fashist  maqedonas. Ajo i bën thirrje Tiranës dhe Prishtinës të mbështesin  shqiptarët  që jetojnë në trojet e tyre në Shqipërinë Lindore dhe të shkëpusin çdo lidhje me regjimin antishqiptar të Nikolla Gruevskit/ shqiperianatyrale

Lajme të ngjashme

Back to top button