Protesta anti-amerikane edhe në Ankara, digjet flamuri amerikan

Vala e protestave anti-amerikane që ka goditur botën arabe këtë javë, pas skandalit të shkaktuar nga filmi, “Pafajësia e Myslimanëve”, është shtrirë edhe në Ankara.

Gjatë ditës së diel, dhjetëra persona kanë protestuar përpara ambienteve të ambasadës amerikane në Turqi, me sloganet “Allahu është i madh”, “Vdekje Amerikës”, “Do mbërrijmë në Shtëpinë e Bardhë”.

Policia ka mbrojtur ambasadën, ndërkohë që protestuesit kanë djegur flamurin amerikan.

Më herët, autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë evakuuar një pjesë të funksionarëve të ambasadave në Tunizi dhe Sudan.

Masat, sipas mediave ndërkombëtare janë marrë pas protestave që po zhvillohen ditët e fundit në këto vende.

Alarmi i Departamentit Amerikan të Shtetit vjen në një ditë realisht të qetë në vendet e pranverës arabe pas protestave të dhunshme të ditëve të kaluara të nxitura nga një film anti-islam i prodhuar në SHBA.

Vrasja e ambasadorit Cristopher Stivens ditën e martë dhe 3 personave të tjerë, punonjës të personelit të ambasadës në Libi, ka sjellë reagime të shumta në arenën ndërkombëtare./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button