Besimi: Aktin në Sllupçan e bëra në shenjë nderimi dhe respekti të barabartë

Ministri i Mbrojtjes në Maqedoni, Fatmir Besimi ka deklaruar se të gjitha palët e pësuara në konfliktin e vitit 2001 duhet të kenë trajtim dhe respekt të barabartë dhe jo ndarje.

Ai këtë e ka theksuar në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA, duke shtuar se akti i homazheve në varrezat e UÇK-së në Sllupçan ka qenë në shenjë respekti dhe nderimi që të gjithë të ndjejnë këtë vend të vetin dhe të jenë të respektuar nga institucionet. 
Ministri Besimi ka komentuar edhe relacionet dhe komunikimin me kryeministrin Nikolla Gruevski. 

“Unë vazhdoj të kryej detyrën e Ministrit të Mbrojtjes çdo ditë duke qenë i angazhuar në agjendën reformuese për integrimet Euro-Atlantike dhe në këtë drejtim jam të fokusuar krejtësisht në tema që kanë të bëjnë me reformat e ARM-së si dhe standardet tjera që kanë të bëjnë me përafrimin e vendit me NATO-n  dhe Bashkimin Evropian. Duke qenë pjesë e qeverisë si ministër i mbrojtjes vazhdon edhe komunikimi në suaza institucionale me kryeministrin dhe antarët tjerë të qeverisë”, theksoi ministri Besimi. 

Lidhur me Projekt – Ligjin për përkujdesje institucionale për forcat maqedonase të sigurisë pjesëmarrëse në konfliktin e 2001, ministri Besimi thekson se qëndrimi i tij bazohet në qëndrimet politike të partisë që përfaqëson në Qeveri. 

“Në këtë drejtim nuk kam të shtoj më tepër se ai i qëndrimit të BDI-së. Sa i përket konceptit të shtetit, dua ta theksoj se jo vetëm ky ligj por të gjitha ligjet në Maqedoni që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve duhet të jenë gjithëpërfshirës dhe duhet të jenë të balancuara që të përfshin interesat e  gjithë  qytetarëve,  pa dallim përkatësisë etnikë apo religjioze”, theksoi ministri i mbrojtjes.

Ai nënvizon rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në ministrin e Mbrojtjes dhe ARM, por edhe prioritetet dhe punët në vazhdim që kanë si synim rritjen e trendit të përfaqësimit, duke përfshirë me theks të posaçëm njësitet speciale./portalb/INA/

Lajme të ngjashme

Back to top button