Teuta Arifi për Tetovën: Jam e gatshme për sfida

Pres që me eurokomisarin Fyle të kemi takim të mirë dhe të suksesshëm dhe raund të tretë të dialogut në nivel të lartë. Mendoj se kemi rezultate pozitive dhe informata të mira lidhur me tre çështjet e mëdha të cilat janë në interes të ndërsjellë mes neve dhe BE-së, deklaroi zëvendlëskryeministrja për Çështje Evropiane, Teuta Arifi në intervistën e së dielës për Radio Evropa e Lirë.

Njëra, shtoi ajo, janë ligjet të cilat kanë të bëjnë me zgjedhjet, për të cilat ne morëm mendim nga OSBE dhe ODIHR, ku në masë të madhe u pajtuam. Çështja e dytë është ligji për dekriminalizim të shpifjes dhe ofendimit, në kuadër të të cilit u pajtuam me Këshillin e Evropës dhe kemi mendim ekspert nga ana e Këshillit të Evropës. Dhe çështja e tretë është raporti i cili ka të bëjë me çështjet nga realizimi i Marrëveshjes së Ohrit.

“Pres të kemi raund të suksesshëm, i cili është shumë i rëndësishëm duke marrë parasysh faktin se mbahet para raportit për përparimin e vendit dhe gjithsesi para dhjetorit, kur do të mbahet mbledhja e Këshillit të Bashkimit Evropian”, thotë Arifi.

Sipas saj, një nga prioritetet është edhe reforma në legjislaturën ligjdhënëse, respektivisht, siç thuhet në udhërrëfyesin – ndarjen e tërësishme të shtetit nga partia.

“Lidhur me parimin e ndarjes së partisë dhe shtetit si definicion që qëndron në udhërrëfyesin, ky është një optimum politik, të cilin të gjithë ne si pretendentë të standardeve evropiane duhet ta pastrojmë si vullnet dhe si orientim. Në këtë fazë në këtë plan kemi bërë një hap përpara”, tha zëvendëskryeministrja Arifi.

Unë mendoj se, shton ajo, ne treguam dinamikë të mirë lidhur me reformat në legjislaturën zgjedhore, duke e marrë parasysh faktin se është çështje e madhe, e cila ndiqet me interes të madh nga BE-ja.

“Kodi zgjedhor u punua në kuadër të grupit punues në Ministrinë e Drejtësisë, i njëjti është dërguar për revizion në OSBE dhe ODIHR. Këtu e kemi edhe ligjin për financim të partive politike dhe disa çështje tjera të cilat kanë të bëjnë me zgjedhjet. Mendoj se ne si vend duhet ta mbajmë trendin pozitiv të vlerësimit nga zgjedhjet e kaluara e këtej. T’i rrisim standardet, ky është qëllimi ynë dhe i BE-së, po ashtu edhe mendoj se këtu vlerësimet do të jenë pozitive”, thotë Arifi.

Ajo thekson se ndonëse integrimi në Bashkimi Evropian (BE) është prioritet, BDI-ja është e gatshme të negociojë edhe për zgjedhje të mundshme dhe të hyjë në garë politike.
“Procesi me BE-në është prioritet i lartë politik dhe ne mbetemi të orientuar në këtë drejtim. Sigurisht, edhe për çështjet e tjera, si çdo parti tjetër jemi të gatshëm të hyjmë në betejë politike dhe të negociojmë, të merremi vesh dhe ato marrëveshje të jenë në të mirën e qytetarëve, por të ndihmojnë gjithashtu edhe proceset euroatlantike, që janë të rëndësishme për të gjithë ne”, tha Arifi.

E pyetur lidhur me spekulimet për kandidimin e saj për kryetare të Tetovës, Arifi ka theksuar se për momentin është e përkushtuar në procesin e integrimeve të vendit.

“I tërë fokusi dhe angazhimi im në vitin që po vijon është i vënë mbi çështjen dhe përmirësimin e proceseve me BE-në dhe Komisionin Evropian. Fokusi im politik dhe puna ime bazike ka të bëjë me këtë, në këtë punoj, ky është prioriteti më i lartë, ndërsa si çdo politikan tjetër jam i gatshëm për çfarëdo sfide, në kushte që ato sfida të jenë seriozë ashtu sikurse jam serioze në punën që bëj”, tha Arifi në intervistën për Radio Evropa e Lirë. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button