Në Evropë18 milionë të papunë, prin Spanja

Papunësia në eurozonë ka njohur vetëm rritje, ndërsa të dhënat e publikuara tregojnë se gjatë gushtit numri i të papunëve kapi shifrën e 18.2 milionëve. Agjencia e Statistikave të Bashkimit Europian, në raportin e saj thotë se numri i të papunësve u rrit me 34 mijë, megjithatë rishikimi i shifrave të korrikut ka bërë që niveli të mbetet i njëjtë në 11.4 për qind, gjithsesi një tregues rekord.

Spanja mbetet në krye të listës së vendeve me papunësi më të lartë, ku 25.1 për qind e fuqisë punëtore nuk ka ku të punojë, ndërsa Austria regjistron numrin më të ulët të të papunëve, me 4.5 për qind. Në Gjermani, niveli është 5.5 për qind.

Problematika më e madhe në eurozonë sa i takon papunësisë mbetet ajo mes të rinjve, pasi të papunët nën 25- vjeç përbëjnë 22.8 për qind në të gjithë eurozonën, ndërsa në Spanjë 52. 9 për qind. Edhe në Greqi, vendin tjetër të goditur rëndë nga kriza e borxheve e recesioni ekonomik, mbi 50 për qind e të rinjve janë të papunë.

Spanja dhe Greqia mbajnë rekordin për papunësinë në eurozonë, edhe për faktin se qeveritë e tyre ndodhen në procesin e reformave që shkurtojnë shpenzimet dhe ngrenë taksat për të reduktuar nivelin e borxhit publik. Veprime të tilla të domosdoshme, në Greqi për të përmbushur kushtet e ndihmës ndërkombëtare e në Spanjë për të rikthyer besimin e kreditorëve në afëtsinë e Madridit për të paguar borxhet e veta, kanë përkeqësuar problemin e papunësisë.

Ndërsa në nivel të Bashkimit Europian, papunësia gjithashtu i rrit me 49 mijë të papunë të tjerë duke e çuar numrin e tyre në 25.5 milionë, duke mbajtur të qëndrueshëm nivelin prej 10.5 për qind. 

Krahasuar me një vit më parë, shkalla e papunësisë është rritur në 20 vende europiane, ka rënë në gjashtë të tilla dhe ka mbetur e pandryshuar vetëm në Britaninë e Madhe./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button