Zgjedhjet e PE-së në 5 pyetje

Në vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), dhjetëra milionë njerëz do të drejtohen drejt kutive të votimit në zgjedhjet për Parlamentit Evropian (PE) më 23-26 maj, shkruan Anadolu Agency (AA).

Aktualisht, 374 milionë qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e PE-së, të cilat llogariten si zgjedhje demokratike ku ndodhet numri më i madh i votuesve në të gjithë botën, pas Indisë.

Interesi për zgjedhjet e PE-së të cilat për herë të parë u mbajtën në vitin 1979 ka shënuar rënie që nga e zgjedhjet e para. Në vitin 1979, shkalla e pjesëmarrjes në zgjedhje ishte 62 për qind, ndërsa në vitin 2014, kur u mbajtën zgjedhjet e fundit për PE-në, shkalla e pjesëmarrjes ishte 42 për qind.

– Çfarë janë zgjedhjet e PE-së?

Me zgjedhjet që mbahen një herë në pesë vite, qytetarët e BE-së zgjedhin deputetët në PE, i cili është institucioni i vetëm ku anëtarët e BE-së emërohen duke u zgjedhur.

Deputetët e PE-së, të cilët janë përgjegjës për përfaqësimin e qytetarëve të BE-së në mekanizmat vendimmarrëse dhe për të mbrojtur interesat e tyre, mund të paraqesin në zgjedhje kandidimin e tyre të vetëm ose në lidhje me një parti politike.

Në zgjedhjet e mbajtura në përputhje me rregullat ligjore kombëtare të vendeve anëtare, mund të marrin pjesë edhe qytetarët në Austri dhe Maltë që kanë mbushur moshën 16 vjeç. Ndërsa në 26 vendet e tjera, mosha e pjesëmarrjes në zgjedhje është 18 vjeç. Sipas rregullave kombëtare ligjore, Belgjika, Greqia, Bullgaria, Luksemburgu dhe Qiproja greke e kanë të detyruar pjesëmarrjen në zgjedhjet e PE-së.

– Çfarë bën PE-ja?

PE-ja, organi legjislativ i Unionit, së bashku me Këshillin e BE-së pranon ligjet e Unionit dhe miraton buxhetin e saj.

Asambleja e Përgjithshme Parlamentare mblidhet në Strasburg të Francës. Çdo muaj një javë ndahet për seancat e Asamblesë së Përgjithshme.

Sekretariati i PE-së ndodhet në Luksemburg. Në strukturën e PE-së dhe në grupet politike ushtrojnë detyrën rreth 8 mijë persona.

– Cilat grupe politike marrin pjesë?

Në zgjedhjet e PE-së këtë vit marrin pjesë 8 gupe politike të cilët përbëhen nga partitë me linja të ngjashme politike nga vende të ndryshme.

Manfred Weber, është kandidati në krye të listës së Partisë Popullore Evropiane (EPP), e cila është partia më e madhe politike në PE, pasi fitoi 221 vende në zgjedhjet e fundit.

Në krye të listës së Social Demokratëve është Frans Timmermans i cili aktualisht është zëvendës president i Komisionit Evropian, ndërsa Jan-Zahradil, do të jetë kandidati në krye të listës së konservatorëve dhe reformatorëve evropianë (ECR).

Guy Verhofstadt, i cili një periudhë ka ushtruar postin e kryeministrit të Belgjikës, është një kandidat në krye të listës së Aleancës Liberale dhe Demokratike për Evropën (ALDE).

Ndërkohë aleancat dhe partitë e tjera do të jenë E Majta e Bashkuar Evropiane – E Majta e Gjelbër Skandinave, Të gjelbërit/ Unioni i Lirë Evropian, Evropa e Lirive dhe Demokracia e Drejtpërdrejt (EFDD), Evropa e Kombeve dhe Lirive (ENF).

– Si është organizuar shpërndarja e vendeve (mandateve) në PE?

Sipas marrëveshjeve të BE-së, shpërndarja e vendeve (mandateve) në PE përcaktohet nga popullata e shtetit anëtar. Për shembull, Gjermanisë e cila ka popullsinë më të madhe në BE, i janë dhënë 96 vende, ndërsa vendet anëtare me popullsi të vogël Malta, Luksemburgu dhe Qiproja greke kanë 6 vende.

Në PE aktualisht ka 751 vende. Në rast se Britania e Madhe largohet nga Unioni para zgjedhjeve të PE-së, numri i vendeve do të bie në 705. Nëse Britania largohet nga BE-ja pas mbajtjes së zgjedhjeve të PE-së, 73 vendet e Britanisë do të shpërndahen mes 14 vendeve, përfshirë Francën, Italinë dhe Spanjën.

Partitë kandidate duhet të marrin 5 për qind të votave në vendet e tyre për të dërguar deputetë në PE. Partitë përfaqësohen në PE me përqindjen e votave që marrin. Kjo mundëson përfaqësimin e partive të mëdha dhe të vogla në PE.

Deputetët e PE-së fitojnë rreth 12 mijë euro në muaj.

– Si bëhet zgjedhja e presidentit të Komisionit Evropian?

Për herë të parë në vitin 2014, me procesin e emëruar “Spitzenkandidat” në detyrën e presidentit të Komisionit Evropian u zgjodh kandidati i propozuar nga partia politike që fitoi më shumë vota në Parlament. Një proces i ngjashëm pritet të zbatohet edhe në këto zgjedhje.

Spitzenkandidat, një fjalë me origjinë gjermane, e cila ka kuptimin se grupi më i madh politik që do të dalë pas zgjedhjeve të PE-së ka autoritetin më të fortë për të përcaktuar presidentin e KE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button