Dënime qesharake për ministrat, astronome për qytetarët

Vërejtje serioze nga deputetët në leximin e parë të Kodit Zgjedhor në seancë plenare. Me Propozim Ligjin për ndryshim dhe plotësim të Kodit Zgjedhor, parashihet që një ministër i cili kandidohet në zgjedhje lokale apo parlamentare, do të vazhdojë që në mënyrë teknike të kryejë funskionin e tij në qeveri, me kusht që të mos keqpërdor pozitën e tij për ndikim në fushatën zgjedhore. Nëse vërtetohet shkelje, do të ballafaqohen me gjoba në lartësi prej 500 deri në 1000 euro.

Sa për ilustrim, gjobat për biznese për mosdhënie të llogarisë fiskale, ose për mosrespektim të ndalimit të pirjes së duhanit në vende publike janë shumëfish më të larta, duke rrezikuar edhe mbylljen e bizneseve. Ndaj këtij paragrafi në Propozim Ligj reagoi edhe deputeti i LP-së, Ivon Veliçkovski.

“Përkrah pabarëzisë të votës zgjedhore, tani kemi edhe pabarazi të qytetarëve në lidhje me pozicionin e tyre politik. Nëse mund të kemi gjoba të larta për ekonomitë dhe bizneset për shkelje më banale, nuk mund që dënimet të jenë të ulta dhe qesharake për bartës të funksionit politik. Nuk mund që ministrat që keqpërdorin pozitën zyrtare për ndikim në fushatë të dënohen prej 500 deri 1000 euro, përderisa bizneset të mbyllen deri në 30 ditë dhe të dënohen për shuma të mëdha” – tha Veliçkovski.

Nga ana tjetër, deputeti i PDSH-së, Ziadin Sela ka nënvizuar si prioritet pastrimin e listave zgjedhore përpara ndryshimit të Kodit Zgjedhor. Sipas tij, ka akoma 300.000 votues fiktiv të cilët duhet të pastrohen

“Akoma nuk bëhet pastrimi i listave zgjedhore, bile akoma më keq, sa herë që afrohen zgjedhjet dhe diskutohet pastrimi i listave zgjedhore, ky numër shtohet çudërisht, dhe aspak nuk pakësohet. Një llogaritje e thjeshtë për opinionin dhe për ju që jeni këtu. Në Maqedoni mesatarisht një gjeneratë nxënësish që nuk kanë të drejtë vote është 30.000. Nëse këtë e shumëzon me 18 gjenerata, numri i përgjithshëm i popullatës në Republikën e Maqedonisë që nuk kanë të drejtë vote është rreth 540.000 banorë. Dhe në qoftë se në numrin e përgjithshëm të popullatës, që është 2.020.000 banorë e zbret me numrin e popullatës që nuk kanë të drejtë vote, i bie që në Maqedoni nuk duhet të ketë më tepër se 1.480.000 votues. Me fjalë tjera kjo i bie që këtu akoma janë rreth 300.000 votues të cilët përcaktojnë edhe rezultatin e zgjedhjeve, prandaj këto ndryshime të cilat propozohen këtu janë të kota, në qoftë se nuk bëhet një pastrim i mirëfilltë i listave zgjedhore, janë të kota nëse nuk bëhet regjistrimi i popullësisë në mënyrë që të Mirren të dhënat e sakta për ato pjesëtarë të popullatës të cilët kanë të drejtë vote” – tha Sela.

Deputeteja e LSDM-së, Ana Pavllovska Daneva kishte vërejtje për Ministrin e Drejtësisë Blerim Bexheti se pse një ligj kaq serioz nuk vjen ta mbrojë në Kuvend, por atë e bën zëvendësja e tij.

“Pajtohem me të vetmin qëndrim të zëvendës ministrit të Drejtësisë se Kodi Zgjedhor ka rëndësi të madhe për reintegrimet e Maqedonisë. Për këtë shkak është e paqartë se pse Ministri Bexheti nuk vjen të mbrojë Propozim Ligjin por e lëshon zëvendësen e tij. LSDM-ja është shumë e bindur se Maqedonisë i duhet Kod Zgjedhor i përmirësuar duke pasur parasysh vërejtjet serioze për zgjedhjet e vitit 2011 nga të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare.” – tha Daneva./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button