“Monstra”, dëshmitari përgënjeshtroi “E1-in”: Luta flokët i ka pasur të shkurtra, s’ka pasur njollë në fytyrë

Dëshmia e dëshmitarit të koduar “E1” në lidhje me atë se çfarë forme të flokëve dhe nëse ka pasur njollë në fytyrë Sami Luta në periudhën e vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, sot është demantuar nga dëshmitarët e palës mbrojtëse. Ata për dallim nga “E1” që ka thënë se Luta ka pasur flokë të gjata dhe një njollë në pjesën e majtë të fytyrës, kanë thënë se Luta në atë periudhë ka mbajtur flokë të shkurtra dhe nuk ka pasur njollë dhe për këtë e kanë dëshmi një incizim dasme dy muaj para vrasjes, shkruan Portalb.mk.

Dëshmitarët e propozuar nga pala mbrojtëse, Senat Bushi dhe bashkëshortja e tij Valdete, sot kanë deklaruar në seancën gjyqësore të rastit “Monstra”, në lidhje me ngjarjen e vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012. Dëshmia e tyre ka pasur të bëjë në lidhje me atë se si është dukur Sami Luta në periudhën e ndodhisë.

“Lutën e kam shok të fëmijërisë, jemi komshinj të parë dhe kam marrëdhënie të afërta miqësore. Në periudhën para dasmës dhe gjatë dasmës sime, Sami Luta ka pasur flokë të shkurtëra dhe nuk ka pasur asnjë shenjë në fytyrë. Më herët i ka mbajtur flokët e gjata, por në atë periudhë jo. Samiu ka qenë në dasmën time dhe në videon e dasmës mund të shihet se ai ka pasur flokë të shkurtëra”, tha Bushi, ndërkaq më pas të njëjtën e konfirmoi të njëjtën edhe bashkëshortja e tij.

Deklarata e dëshmitarit Bushi, e hedh poshtë deklaratën e dëshmitarit të koduar, i cili gjatë deklarimit të tij ka deklaruar se 3-4 ditë përpara ndodhisë në Liqenin e Smillkovës, i ka hasur 4 persona me një veturë “Golf 3” të zi, në mesin e të cilëve ka qenë edhe Sami Luta, transmeton Portalb.mk.

“Personi i parë (Sami Luta) ka pasur flokë të zeza dhe të gjata me një njollë në pjesën e majtë të fytyrës”, deklaroi E1, i cili ishte kontradiktë edhe në identifikimin e Lutës. Gjatë seancës së 22 gushtit të vitit 2018-të, Lutës iu kërkua që të çohet në këmbë dhe të kthehet në anën e majtë të tij, megjithatë të pranishmit nuk vërejtën kurrfarë njolle në fytyrën e tij.

“E1”, për Lutën ka deklaruar se atë ditë i ka kërkuar shkrepës për ta ndezur cigaren. Pasi që nuk ka pasur shkrepës klasike, “E1” ka thënë se ia ka dhënë shkrepësen e veturës, ndërkaq sipas tij, e ka vërejtur se Luta ka mbajtur në dorë kuti të kuqe të cigareve “Lucky Strike”.

Pala mbrojtëse i ka mohuar deklarimet e dëshmitarit “E1”, duke e vlerësuar si gënjestar dhe që merr instruksione nga dikush.

Dëshmitari i mbrojtur “E1” është propozua nga Prokuroria Themelore Publike në shtator të vitit 2012. Të thënat e dëshmitarit “E1”, kanë qenë ndër dëshmitë kryesore në bazë të së cilës janë dënuar me burg të përjetshëm të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Sot gjithashtu, dëshmitari, Jonçe Ivanovski deklaroi se se duke e njohur Fejzi Azirin, nuk beson që ai të jetë përfshirë në vrasjen e pesëfishtë. Ai tha se në periudhën e ngjarjes makabre, ka pasur fabrikë afër fermës së Azirit dhe me atë kanë pasur marrëdhënie të mira miqësore.

Në seancën e sotme gjyqësore nuk morën pjesë familjarët e viktimave. Seanca e radhës do të mbahet më 14 maj, në të cilën do të vazhdohet me dëshmitë e dëshmitarëve të propozuar nga pala mbrojtëse.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje, përcjellë Portalb.mk.

 

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur janë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button