Të hënën samiti për Ballkanin, Merkel dhe Macron mbledhin krerët rajonal

Të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen bashkë të hënën në Berlin, me ftesë të kancelares Angela Merkel dhe presidentit Emmanuel Macron.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu ka mundur të sigurojë agjendën e këtij samiti dhe të pjesëmarrjes. Si çështje e parë në tavolinën e diskutimit do të jetë vëllimi tregtar në rajon.

Një burim diplomatik i tha Top Channel se gjatë diskutimit të kësaj çështjeje, Merkel dhe Macron do t’iu kërkojnë udhëheqësve kosovarë heqjen e taksës me Serbinë.

Samiti do të vijojë me diskutimet për raportet e ndërfqinjësisë dhe mundësitë e pajtimit, nga ku do të kërkohet vijimi i dialogut Kosovë-Serbi. Pika më interesante dhe më e rëndësishme në këtë samit ka të bëjë me vjeljen e mendimeve për stabilitetin e Ballkanit dhe të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Merkel dhe Macron do të dëgjojnë nga udhëheqësit e Ballkanit këndvështrimet e tyre dhe propozimet sesi mund të avancojë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, transmeton Top Channel.

Shqipëria do të përfaqësohet nga krtyeminisri Edi Rama dhe ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj. Ndërsa Kosova, nga presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj. Përfaqësimi i Serbisë do të jetë president-kryeministër. Me president dhe kryeministër do të jetë edhe përfaqësimi i Malit të Zi.

Për pjesëmarrje në këtë samit nuk ka mbërritur ftesë për presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, dhe homologun e tij maqedonas.

Shefja e diplomacisë europiane, Mogherini, dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, janë pjesë e samitit. Për këtë samit ka pasur komente të ndryshme në mediet gjermane dhe ato austriake, nga ku raportohej për një plan të dyshes Merkel-Macron, lidhur me çështjen e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Vlen për t’u parë nëse në tavolinën e këtij samiti do të hidhet për diskutim një plan konkret apo jo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button