Ligji i ri për ofendim dhe shpifje, antikushtetues dhe nxitës i censurës!

Qeveria ka propozuar ligj i cili është në kundërshtim me Kushtetutën, gjegjësisht me nenin 16 të saj ku garantohet liria e të shprehurit, duke rrezikuar kështu shuarjen e plotë të debatit publik nëpër ueb-sajtet e regjistruara në Maqedoni. Në këtë ligj si që thekson fondacioni Metamorfozis, përdoren terme të paqarta ndërsa do t’i obligojë portalet që të censurojnë përmbajtje të publikuara nga shfrytëzuesit e tyre me kërkesë të “personit të dëmtuar”, e jo me urdhëresë të gjyqit në bazë të shkeljes së dëshmuar dhe të dënuar.  

Propozim-ligji, i cili momentalisht është në lexim të parë në Kuvend, përmban edhe pjesë që kanë të bëjnë me punën e “ofruesve (provajderëve) të shërbimeve të internetit”, me ç’rast si të tillë, në mënyrë eksplicite përmenden portalet, por vetë termi provajder nuk është definuar në mënyrë precize. 

“Kështu që mund t’i referohet edhe çdo lloji tjetër të shërbimit onlajn” thotë në reagimin e saj fondacioni për internet dhe shoqëri, Metamorfozis.

Duke i pasur parasysh përvojat e deritanishme nga zbatimi në praktikë i termeve të definuara në mënyrë të paqartë, Metamorfizis alarmon se i lihet në duar të gjykatësit të vendosë se a do ta konsiderojë “provajder të shërbimeve të internetit”, gjegjësisht bashkëpunëtor, edhe bloguesin i cili “ka lejuar” në pjesën për komente nën postimin e tij, ndonjë i panjohur të lë koment që është ofendues për ndonjë person të tretë, ose të paraqitet ndonjë link që çon deri te ndonjë blog ose ueb-faqe tjetër, që eventualisht përmban ofendime ose shpifje për ndonjë person të tretë.

“Çdo provajder i shërbimeve të internetit, gjegjësisht administrator i ueb-faqes, ka mundësi teknike për kontroll mbi të gjitha përmbajtjet (në fund të fundit formë e kontrollit është fshirja, gjegjësisht largimi i ueb-faqes nga interneti) në kundërshtim me parimin për supozim të pafajësisë, me këtë nen, pronarët vihen para një situate ku duhet patjetër ta dëshmojnë pafajësinë e tyre, në vend që ai i cili i padit të ofrojë dëshmi për fajin e tyre, gjegjësisht qëllimin e keq” thuhet në reagim.

Madje, ky ligj do t’i obligojë portalet që të censurojnë përmbajtje të publikuara nga shfrytëzuesit e tyre me kërkesë të “personit të dëmtuar”, e jo me urdhëresë të gjyqit në bazë të shkeljes së dëshmuar dhe të dënuar. 

“Për shembull, ndonjë funksionar qeveritar mund të jetë i ofenduar nga prezantimi i dëshmive për korruptimin e tij. Nëse provajderi nuk mund të dëshmojë se ka bërë gjithçka që ta mbrojë autoritetin e tij, atëherë ballafaqohet me përgjegjësi të njëjtë për përmbajtjet, sikurse edhe qytetari që i ka publikuar ato” thuhet në reagim.

Duke pasur parasysh se ballafaqohen me rrezikun që të paguajnë dënime deri në 27.000 euro, ka shumë gjasa që provajderët e shërbimeve të internetit, që të mos rrezikojnë të paditen, do të pamundësojnë publikimin e të gjitha llojeve të përmbajtjeve të gjeneruara nga shfrytëzuesit ose në rastin më të mirë do t’i fshijnë të gjitha përmbajtjet për të cilat do të marrin kërkesa të tilla. Në të kundërtën, përsëri u ekspozohen harxhimeve për shkak se do të jenë të detyruar të punësojnë moderatorë (avokatë dhe verifikues të fakteve), të cilët që më parë do të mund ta vlerësojnë çdo koment se a është ofendues ose shpifës, si dhe së paku nga 3 administratorë që do të jenë në dispozicion në tre ndërrime, gjegjësisht 24 orë, 7 ditë në javë (edhe gjatë fundjavëve dhe festave shtetërore), që t’u përgjigjen me kohë të gjitha kërkesave për fshirje, në afatin e paraparë me ligj prej 24 orëve.

“Mundësitë për keqpërdorim arbitrar, që do të hapeshin me miratimin e një ligji të këtillë, duke i nxitur provajderët e shërbimeve të internetit në të gjithë sektorët shoqërorë, e veçanërisht në sektorin privat dhe atë të shoqërisë civile, që të fusin në përdorim procedura për censurë të përmbajtjeve të gjeneruara nga shfrytëzuesit e tyre, janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet themelore për liri të shprehjes dhe ndalesë të censurës, që i përmban neni 16 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë” reagon Metamorfozis duke ftuar deputetët e Kuvendit të RM-së ta refuzojnë miratimin e ligjit në këtë formë.

Metamorfozis i fton të gjithë faktorët shoqërorë, duke filluar nga qytetarët individualë, pastaj organizatat joqeveritare, institucionet arsimore dhe shkencore, firmat private, veçanërisht provajderët e shërbimeve të internetit, mediumet dhe e-botuesit, si dhe trupat qeveritarë, veçanërisht ato që merren me mbrojtjen e të drejtave dhe liritë e qytetarëve, të kyçen aktivisht në procesin e pengimit të miratimit të këtij dhe cilësdo “zgjidhje” tjetër ligjore që ofron edhe mundësinë më të vogël për rrezikimin e lirisë së të shprehurit në Republikën e Maqedonisë.
Metamorfozis e dërgon këtë reagim deri te institucionet kompetente të Republikës së Maqedonisë dhe publiku i gjerë, si dhe te Përfaqësuesi i lartë i OSBE-së për lirinë e mediumeve dhe deri te organizatat ndërkombëtare që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut: ?DRI – Të drejtat digjitale evropiane, Amnesty International, Index on censorship, Human Rights Watch dhe Raportuesit pa kufinj.

Neni kryesor që ka të bëjë me internetin është neni 11, dhe mund ta lexoni duke klikuar këtë link.

Reagimin e plotë të Metamorfozis me të gjitha detajet mund ta lexoni duke klikuar këtë link. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button