Kosovë, KQZ certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e jashtëzakonshme

Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që ta certifikojë Listën Serbe, konkretisht kandidatët e kësaj partie për kryetar të katër komunave veriore për zgjedhjet e jashtëzakonshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një vendim të cilin PZAP ia ka dërguar KQZ-së, një ditë pasi në këtë të fundit dy anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje pamundësuan certifikimin e Listës Serbe duke abstenuar, KQZ-ja është urdhëruar që një gjë të tillë ta bëjë automatikisht.

“Urdhërohet Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ta certifikojë subjektin politik Lista Serbe, me kandidatët për kryetarë të komunave, Goran Rakiq për Mitrovicën e Veriut, Vuqina Jankoviq për Zveçan, Srdjan Vuloviq për Zubin Potok dhe Zoran Todiq për Leposaviq, për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme që do të mbahen me datë 19.05.2019”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se urdhri i PZAP-së është i bazuar në nenet e Ligjit mbi Procedurën Administrative.

“Meqenëse ky vendim është i obligueshëm, ne nuk kemi nevojë fare të votojmë, por mund të konsiderojmë se Lista Serbe është e certifikuar sipas urdhrit të PZAP-së”, tha Daka.

Në anën tjetër, anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, certifikimin e Listës Serbe e ka konsideruar si shkelje ligjore dhe kërkoi afat prej 24 orësh që të pritet për ankesa në Gjykatën Supreme, mirëpo këtë kërkesë nuk ia plotësuan anëtarët e tjerë.

“Mendoj që në aspektin procedural po bëhet interpretim i gabueshëm. E vetmja kompetencë e PZAP-së është që të rishqyrtojë vendimin e vet, kështu që unë mendoj që nuk mund të certifikohet me automatizëm Lista Serbe. Ky është vendim i rrezikshëm që po bëhet për herë të parë në KQZ. Kjo është shkelje”, deklaroi Rrustemi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit do të mbahen më 19 maj, ku të drejtë vote kanë mbi 58 mijë qytetarë. Lista Serbe garon në këto zgjedhje me dy parti tjera, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button