Anulimi i votimeve nga KSHZ-ja: Për sa vota mund të ndryshojë rezultati i zgjedhjeve

Anulimi i votimit të rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) në 9 vendvotime, do të sjellë ndryshim të rezultatit zyrtar për 271 vota. Këto janë votat e përpunimit të vetëm njërit vendvotim në Kavadar, pasi për 7 të tjerët Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ende nuk i ka përpunuar rezultatet, transmeton Portalb.mk

Numri i votuesve të regjistruar në 8 vendvotimet është 4 mijë e 763.

Në vendvotimin 0684 në Kavadar, kandidati i pavarur, Blerim Reka ka marrë 1 votë, kandidatja e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, Gordana Siljanovska 192 vota, kurse kandidati i 30 partive politike, Stevo Pendarovski 78 vota, ndërkaq 17 vota janë të pavlefshme. Ky vendvotim numëron gjithsej 511 votues. Në Kavadar votimi është anuluar edhe në vendvotimin 0682, i cili ende nuk është përpunuar nga KSHZ-ja, ndërkaq numëron 764 votues.

Votimi është anuluar edhe në vendvotimet e papërpunuara, si në 1075 në Kumanovë ku ka 553 votues, në vendvotimin 1338 në Ohër ka 150 votues, në vendvotimin 0816 në Kërçovë ka 702 votues, në vendvotimin 2688 në Aerodrom ka 633 votues, në vendvotimin 2830 në Qendër ka 628 votues dhe ndërkaq në vendvotimin 2564 në Gjorçe Petrov ka 822 votues.

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski, foto: Borçe Popovski, "Kolektif.mk"
Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski, foto: Borçe Popovski, “Kolektif.mk”

Megjithëse votimi u anulua në 8 vendvotime, me numër të përgjithshëm të votuesve mbi 4 mijë, nuk do të ketë rivotim në këta vendvotime, sepse siç sqaroi kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski për Portalb.mk, nuk do të ndikohet rezultati, por do të ulet dallimi i votave mes kandidatëve.

“Rivotim mund të kemi në rast se anulimi e ndikon rezultatin final. Në këtë rast anulimi i votimeve nuk do ta ndikojë rezultatin, prandaj edhe nuk do të kemi rivotim. Do të ulet vetëm dallimi i votave mes kandidatëve. Vendvotimet ku u anulua votimi do të përpunoheн së shpejti, dhe rezultatet do të publikohen në ueb faqe”, tha Derkoski.

LEXO: Fletëvotime më shumë se votues të regjistruar: U anulua votimi në 7 vendvotime dhe shkarkohen 8 borde zgjedhore
LEXO: KSHZ e anuloi votimin në Gjorçe Petrov dhe shkarkoi dy Borde Zgjedhore

Përndryshe, pas shqyrtimit të parashtresave për rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 21-prillit, KSHZ-ja solli vendim për anulim të votimit në 8 vendvotime: dy në Kavadar, dhe nga një në Kumanovë, Ohër, Aerodrom, Qendër, Kërçovë dhe Gjorçe Petrov. Krahas anulimit të votimit, KSHZ-ja ka shkarkuar edhe 10 borde zgjedhore: tre në Qendër, dy në Kavadar, dhe nga një në Ohër, Aerodrom, Kërçovë, Gjorçe Petrov dhe Berovë. Ndaj bordeve zgjedhore do të ngriten edhe sanksione kundërvajtëse, por pas përfundimit të rrethit të dytë të zgjedhjeve të 5-majit.

Sipas rezultateve të fundit (25.04.2019) në ueb faqen e KSHZ-së dalja e votuesve në rrethin e parë ishte 41.79 për qind (755.702 votues). Kandidati i pavarur, i mbështetur nga partitë shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, Blerim Reka mori 79.921 apo 10,58% të votave të përgjithshme, dhe me këtë nuk do të shkojë në rrethin e dytë, 5 maj 2019-të.
Kandidatja e përkrahur nga partia opozitare VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni, Gordana Siljanovska ka marrë 319.225 apo 42,24% e votave të përgjithshme, ndërkaq kandidati i 30 partive politike, Stevo Pendarovskin mori 323.714 apo 42,84% të votave të përgjithshme.
Fletë të pavlefshme ka 32.811 apo 4,34% e numrit të përgjithshëm të votave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button