Maqedoninë e tronditi recesioni, Qeveria pesimiste

Janë shkrirë skenaret optimiste qeveritare se ekonomia e Maqedonisë me sukses po e kalon krizën. Me publikimin e të dhënave se edhe në kuartalin e dytë të këtij viti, BPV-ja është në gjendje negative prej 0.9 për qind, ekonomia edhe zyrtarisht është në recesion. Nën pikëpyetje vihet edhe projektimi qeveritar për rritje ekonomike prej 2.5 për qind.

Bruto Prodhimi Vendor
Kuartali I – 1.4 për qind
Kuartali i II – 0.9 për qind

Opinioni i ekspertëve dhe ekonomistët theksojnë se këto shifra janë vetëm vërtetim se ky vit 2012 është njëra nga vitet më të rënda të krizës.

“E presim recesionin. Simptomat e saj nuk janë prej sot. Por prej para do kohe theksojmë se duhej të përgatiteshim për këtë, sipas meje mund të merreshin masa konkrete, duhej të kishte hapa për të zbutur goditjen e jo të shtiremi se asgjë nuk ndodh. Mua pikërisht më frikësonte ajo politikë populiste, e cila përfundoi me të dhëna dështuese”, thekson Menderes Kuçi, njeriu i parë i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Sipas opinionit të ekspertëve, me rënien e ekonomisë dy kuartale me radhë, tashmë vihet në pyetje edhe projektimi buxhetor për rritje të përgjithshme të ekonomise prej 2.5 për qind deri në fund të vitit. Për dallim nga Qeveria, institucionet ndërkombëtare financiare dolën me projektime më pak optimiste.

FMN 2,0%
BERZH 1,3%
BPRM 1,0%
Qeveria 2,5%

Sipas opinionit vendor të ekspertëve 2.5 për qind të rritjes ekonomike të Qeverisë do të jenë shumë vështirë për t’u arritur. Për t’u realizuar, në gjysmën e dytë të vitit duhet të tregohet rritje të BPV-së më shumë se 10 për qind. Por edhe këto përqindje janë shumë vështirë të realizueshme në gjendje kur prodhimtaria industriale me marramendje bie 11 muaj me radhë. Biznesmenët presin vit negativ ekonomik.

“Atë që kemi mundur ta bëjmë dje, nuk mund ta bëjmë sot. Faji për moslikuiditetin nuk duhet të kërkohet vetëm tek sektori privat por edhe tek shteti, i cili duhej të kishte veshë për atë që si ekonomistë e propozojmë. Kreditë e Bankës Evropiane për mbështetje të zhvillimit ishin të mirëseardhura, por ato janë në masë të vogël dhe janë të vonuara që të mund edhe realisht të ndihmojnë”, thekson Kuçi duke sqaruar atë nëse garnitura qeveritare e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së ka zbatuar masa reale për mbështetje të biznesit.

Sipas Kuçit, kreditë që i promovonte Qeveria duhet të përdoren për investime e jo për likuiditet ditor, siç bëhet tani. Recesioni në Maqedoni, sipas opozitarëve është vetëm vërtetim për politikat e këqija ekonomike.

“Ajo që po ndodh nuk na befason. Gjendja e keqe ekonomike vetëm fitoi konfirmim statistikor. Edhe përkundër të gjitha sqarimeve qëllimmira për ndërmarrjen e masave për shkurtimin e shpenzimeve joracionale, Qeveria mbeti e shurdhur dhe e vetmuar. Ne theksuam se Maqedonia shkon në drejtim të kundërt nga ajo që tregohej. Kredibiliteti i Qeverisë për t’i parashikuar pritjet u tregua joserioz dhe më askush nuk beson në parashikimet qeveritare, thekson Zoran Jovanovski nga LSDM-ja. 

Matjet e fundit të statistikës treguan se minusi i Bruto Prodhimit Vendor është rezultat i rënies së aktivitetit ekonomik në sektorët kyç. Tek sektori i xehetarisë, industrisë përpunuese dhe furnizimit me energji elektrike dhe gaz, në kuartalin e dytë është shënuar rënia më e madhe prej – 6.9 për qind, më pas tek ndërtimtaria – 5.1 për qind dhe tek komunikacioni ulje prej 3 për qind.

Pas fillimit të krizës në vitin 2008, ky do të jetë viti më i rëndë edhe për qytetarët edhe për ndërmarrjet. Për herë të parë, ekonomia ishte në recesion në vitin 2009, kur Bruto Prodhimi Vendor shënoi rënie prej 0.9 për qind.

BPV ndër vite
2008 5,1%
2009 – 0,9%
2010 2,9%
2011 3,1%

Në vitin 2010 dhe 2011 ka zhvendosje të butë me trende rritëse, që tani sërish rritja ekonomike të fitojë parashenjë negative. Atë që e alarmojnë ekonomistët janë dy tregues kyç të cilët nuk paralajmërojnë përmirësim të ekonomisë as në gjysmën e dytë të këtij viti. E para rënie të vazhdueshme të prodhimtarisë industrial tashmë 11 muaj me radhë dhe e dyta, sasi të zvogëluar të investimeve, tek të cilët madje është regjistruar edhe dalje.

Në prag të kuartalit të fundit të këtij viti kalendarik, bashkësia afariste tashmë druan edhe për fillimin e vitit të ardhshëm, i cili sipas shumicës nuk do të sjell përmirësime. /Portalb

Aneta Dodevska, bashkëpunëtore e jashtme e Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button