Shqiptarët të privuar nga iPhone 5

Një nga karakteristikat më pak të publikuara rreth iPhone 5 është përdorimi i kartës SIM Nano, që do të thotë se blerësit e telefonit të ri inteligjent nga Apple do t’iu duhet një kartë e re SIM, para se të mund të përdorin aparatin.

Karta e re SIM Nano është rreth 40% më e vogël se microSIM-i përdorur në iPhone 4 dhe iPhone 4S, që e ka ndihmuar Apple-in të zvogëlojë madhësinë e telefonit më të fundit të saj.

Instituti Evropian i Standardeve për Telekomunikacionin (ETSI) sqaron, “Projektimet e sotme të kartave SIM zënë një hapësirë të konsiderueshme të hapësirës brenda një aparati celular. Kjo hapësirë është jashtëzakonisht e rëndësishme në aparatet e ditëve të sotme, që garantojnë një numër veçorish në rritje.”

Megjithatë, SIM Nano është aq e vogël, saqë përdoruesit duhet të tregohen të kujdesshëm të mos e zëvendësojnë atë, pasi arrijnë një madhësi prej 12.3 x 8.8 x 0.67 mm.

Siç kemi përmendur edhe në artikujt e mëparshëm rreth celularit të ri inteligjent, ai do të jetë telefoni i parë LTE në Shqipëri. Çfarë do të thotë LTE? LTE në anglisht do të thotë Long Term Evolution, njohur ndryshe edhe si 4G LTE, një standard për komunikimin wireless (pa kabllo) me shpejtësi të lartë përpunimi të dhënash për telefonat celularë. Pra, mund të thuhet fare mirë se është teknologjia më e përparuar gjer më sot.

Ata që duan të blejnë celularin pa kartë SIM nga një dyqan i Apple-it më 21 Shtator janë të detyruar të marrin një SIM Nano, para se ta përdorin atë, se të transferojnë SIM-in nga telefonat e tyre të mëparshëm.

Megjithatë, Vodafone i Britanisë së Madhe ka konfirmuar se ka siguruar 500,000 karta SIM Nano dhe janë në pritje për lançimin e iPhone 5. Për sa i përket vendit tonë, ka shumë gjasa që vetëm operatori telefonik Vodafone Albania të hedhë në treg kartat SIM Nano, duke qenë pjesë e kompanisë mëmë Vodafone. Kjo mbetet për t’u parë, pasi aktualisht operatori mobil AMC ka ekskluzivitetin e shpërndarjes së iPhone 4S. Dhe mbi të gjitha a është në interesin e AMC të marrë ekskluzivitetin e iPhone 5 tani shpejt, ndërkohë që paramendohet që kompania në fjalë të ketë stok të konsiderueshëm iPhone 4S, dhe të ndryshojë politikat e çmimit (çmimi aktual i iPhone 4S për klientët me parapagim është iPhone 4S 16 GB – 85 500 lekë.

Megjithatë, nuk duhen humbur shpresat, pasi ekzistojnë mënyra të tjera për të siguruar këtë kartë SIM të veçantë. Nuk duhen harruar mënyrat e klonimit, metoda tashmë shpresëdhënëse në momente kyçe dhe vendimtare, që iu vijnë në ndihmë përdoruesve anembanë botës. Këto mënyra shfrytëzohen fare mirë nga aziatikët, në veçanti kinezët, të cilët shquhen për kopjime, dhe më pas ngarkohen në internet ku mund të përfitojnë të gjithë.

Kryesisht, produktet e Apple-it kanë pasur gjithmonë nevojë për zhbllokim (unlocking) në vendin tonë dhe në shumë vende të tjera, pasi pajisjet e saj në përgjithësi ofrohen nga operatorët telefonikë. Megjithatë, ekziston mundësia e zhbollokimit të tyre përmes jailbreak-ut. Softueri i fundit që zhbllokon iPhone 4, 4S-në, iPhone 3Gs, iPad 1 dhe iPad 2 është iOS 5.1.1. Ka shumë gjasa që ky të jetë programi që do të zhbollokojë edhe iPhone 5, megjithatë mbetet për t’u parë.

Të gjithë ata shqiptarë që duan të blejnë iPhone 5, i udhëzojmë të mos nxitojnë dhe të presin hedhjen në treg të kartave SIM Nano, sepse përndryshe aparati i tyre nuk funksionon me kartat e zakonshme SIM që ekzistojnë në vendin tonë./Analizë e krokodili.com

Lajme të ngjashme

Back to top button