Kundër-protesta për zhdukjen e çdo lëvizjeje qytetare

Në çdo inicijativë të qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë, qeveria përgjigjet me organizimin e grupeve të cilat do të protestojnë zakonisht kundër opozitës.

Për çdo protestë – kundër protestë, për çdo shoqatë – kundër shoqatë. Realiteti i tillë i Maqedonisë filloi të zhvillohet qysh para disa viteve, ndërsa sot po shndërrohet në përditshmëri. Kështu, shoqata AMAN fitoi një konkurrent në “Izgor privatizacija”, ndërsa Sindikata e pavarur e mjekëve të Qendrës klinike një sindikatë të re e cila është kundër ndërprerjes së punës në këtë institucion të cilën e paralajmëroi sindikata e pavarur. 

“Sipas mendimit tim dhe bindjes time të thellë, ata janë të inkurajuar nga parti të caktuara politike, në rend të parë ndoshta nga partitë politike të cilat janë në pushtet. Qëllimi është që të mbulohet gjendja faktike e të drejtave, gjendja faktike e cila po mbizotëron në shtet, edhe ajo politike, edhe ekonomike edhe ndërnacionale, si dhe sferat dhe situatat tjera”, deklaroi profesor Osman Kadriu.

Se pas formimit të sindikatës paralele me Qendrën klinike qëndron qeveria, supozon edhe kryetari i sindikatës së pavarur të Qendrës klinike, dr. Dejan Stavriç.

“Këto janë procese të paligjshme, keqpërdorim i njerëzve, pasi që konkretisht për këtë shoqatë e cila te ne është e formuar në spital, janë të ftuar, gjegjësisht në një mënyrë janë të kushtëzuar një numër i madh i njerëzve të cilët janë të punësuar me kontratë në vepër”, tha Stavriç.

Ai shtoi se në  bisedimet e filluara mes sindikatës dhe Ministrisë nuk mund që të kyçet asnjë sindikatë e sapoformuar, pasi që, siç shprehet ai, në formimin e asaj sindikate nuk janë respektuar procedurat. Përveç kësaj, formimin e saj e konsideron si rrezik në bisedimet e filluara.

“Në interes tonin është që në mënyrë paqësore të zgjidhen problemet, të arrihet konsensus me Ministrinë, mirëpo kjo që po ndodh nuk po kontribuon në këtë drejtim”.

Kundër protesta u paraqitën edhe dy vite më parë kur shoqata Sheshi Liria (Plloshtad Sloboda) shprehu qëndrimin e saj kundër ndërtimit të kishës në shesh, protesta e të falimentuarve mori një kundër përgjigje në shoqërinë civile “Viktimat e tranzicionit”. Dhe këto janë vetëm një pjesë e shembujve. Po humbet kuptimi i sektorit civil, ndërsa partitë politike duan të tregojnë se nuk ekziston asgjë jashtë tyre. Qytetarët janë vetëm të keqpërdorur, thotë profesori Ilija Aceski.

Tani qytetarët nga ana tjetër e ndjejnë atë dëshpërim, ata menjëherë logjikojnë se protesta është një llogaritje partiake dhe mendojnë se është e kotë që ta humbin kohën e tyre, nuk ka asnjë efekt nga e gjithë ajo.”, shtoi Aceski./REL/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button