Skenarët e shpëtimit të Maqedonisë nga kriza politike

Analistët politik shprehen skeptik se mund të arrihet kompromis mes partnerëve kryesor të koalicionit ndërsa opsioni i vetëm për tu zhbllokuar kriza qeveritare doemos janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. 

Naser Zyberi thotë se formula është pa dyshim kompromisi. Një nga kompromiset mund të jetë tërheqja e ligjit nga procedura parlamentare, që ka gjasa të vogla të ndodhë, prandaj duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Kompromisi i dytë është që ky projekt të pësojë ndryshime, të tërhiqet për momentin, të kthehet në qeveri ose te ata që e kanë përpiluar propozimin, në këtë rast grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, të kyçet edhe partneri tjetër i koalicionit në këtë rast BDI, dhe ky ligj të përfshinë edhe pjesën tjetër të viktimave, invalidëve të luftës, dhe pjesëmarrësve në konfliktin e vitit 2001, pra pjesëtareve të UCK-së .Zgjidhja e tretë është dihet, votëbesim qeverisë, shpërndarje e parlamentit, shpallje e zgjedhjeve të parakohshme dhe zgjedhje të reja” shprehet Zyberi.

Për Ismet Ramadani, kriza është mjaftë e thellë, mjaftë serioze politike në Maqedoni për shkak se ndarja bëhet në baza etnike dhe se kjo krizë politike tani ka marrë udhën e vetë dhe shumë vështirë mund të kontrollohet dhe mund të menaxhohet vetëm si improvizim.

“Unë mendoj se këtu tani do të taktizohet në kohë edhe pak dhe bile deshën ose nuk deshën partnerët e koalicionit, vetë situata do ti merr përpara që ata të detyrohen të shkojnë në zgjedhje të parakohshme dhe sipas meje ajo do të ndodh në muajin mars, kjo me siguri i konvenon BDI-së ndërsa kryeministri dhe partia e tij ata do të tentojnë të mbahen zgjedhjet sa më shpejtë, duke dalë me parulla nacionaliste se ja na duhet më shumë se 60 deputetë ose 70 deputetë që partitë politike shqiptare mos ta kushtëzojnë eventualisht kryeministrin e ardhshëm Gruevski, dhe gjithë kjo kërkon zgjidhje” tha Ramadani.

Derisa në Maqedoni ka shumë gjëra që duhet të zgjidhen si çështja e emrit, të zhbllokohen proceset euro atlantike, në Maqedoni të fillojnë investimet të përmirësohet klima politike e kështu me radhë ne kemi ngec tash me krizë brenda qeverisë së Maqedonisë, ka thënë analisti Albert Musliu duke mos përjashtuar opsionin për zgjedhje të parakohshme parlamentare. 

“Zhbllokimi është që në qeveri ose disa sende ti sqarojnë që të zhbllokohet puna e tyre, ose të gjejnë solucion tjetër, solucioni tjetër është ose zgjedhje të parakohshme që për mua nuk është ndonjë zgjidhje nëse rezultatet e zgjedhjeve janë të njëjta, prapë do të kemi të njëjtat parti, prapë do të kemi të njëjtat problem, ose ndonjë qeveri teknike e cila do të organizoj zgjedhje tjera ose të merren vesh problemet ti zgjedhin brenda subjekteve të tyre a jo ti vendojnë qytetarët në një situatë të pavolitshme që ne tash të ofrojmë zgjidhje për problemet të cilat partitë politike i kanë” theksoi Musliu./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button