Vendet e BE do të vazhdojnë kontrollet kufitare
Udhëtarët në kufirin gjermano-austriak duhet të përgatiten për kontrolle në kufi. Edhe Danimarka, Suedia dhe Franca do të vazhdojnë kontrollet kufitare. Si arsye për vazhdimin e tyre përmendet edhe itinerari i Ballkanit, njofton Dojçe Vele.
Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë bëri të ditur, se vendimi për vazhdimin e kontrolleve kufitare është marrë për shkak të një numri ende të lartë të kalimit ilegal të kufirit. Ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë informoi Brukselin se nga nëntori 2018 deri në shkurt 2019 janë regjistruar 950 raste të shkeljes ilegale të kufirit. Nga ana tjetër është rritur së fundmi sërish „potenciali i migrimit” përmes Detit Mesdhe dhe nga i ashtuquajturi itinerari i Ballkanit. Prandaj Gjermania nuk mund të heqë dorë nga instrumenti i kontrollit të brendshëm kufitar, thuhet në kërkesën që ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer i ka dërguar zëvendëspresidentit të KE, Frans Timmermans.
Por jo vetëm Gjermania do të vazhdojë kontrollet kufitare. Danimarka po ashtu ka bërë të ditur zgjatjen e kontrolleve kufitare deri në nëntor dhe e argumentoi këtë me „presionin që ende ekziston në kufijtë e jashtëm të Europës”. Kërcënimi terrorist për Danimarkën është si edhe më parë serioz, „gjë që e bën të nevojshme kontrollin kufitar”, tha ministrja daneze për Integrimin dhe të Huajt, Inger Støjberg.
Kontrolle në Francë dhe Suedi
Në hapësirën e Shengenit, ku bëjnë pjesë 26 vende europiane nuk duhet të ketë kontrolle kufitare. Por në vitet e fundit një sërë shtetesh përdorën rregulloren për raste të veçanta dhe i rivendosën kontrollet në kufi. Sipas të dhënave të Komisionit Europian, një kërkesë për zgjatjen e kontrolleve kufitare ka ardhur nga Gjermania, Danimarka dhe Suedia. Ndërkohë edhe Franca e Austria kanë informuar autoritetet për zgjatjen e kontrolleve kufitare. Kontrollet kufitare mes Gjermanisë e Austrisë pritet të vazhdojnë deri në 11 nëntor 2019. Gjermania kontrollon kufirin me Austrinë nga vjeshta e vitit 2015, kur erdhën dhjetëra mijëra refugjatë nga Greqia përmes itinerarit të Ballkanit.