Madonna, do të performojë në “Eurovision” në Tel Avivit
Një milion dollarë për dy këngë. Kjo është shuma e ofruar Madonnës për të performuar në finalen e “Eurovision”-it në Tel Aviv, transmeton Top Channel.
Njëra është një hit i vjetër e mjaft i suksesshëm, e tjetra do të jetë një krijim i ri, për të cilin ka pak shqetësim mes producentëve megjithatë, për shkak se përmban një mesazh politik.
Lajmin e përcjell e përditshmja izraelite “Haaretz”, e cila thotë se këngëtarja 60-vjeçare pritet të mbërrijë në Izrael 4 ditë përpara finales, e mund të qëndrojë në hotelin “Dan”, me një shpurë prej plot 160 personash.
Kjo do të jetë hera e katërt që Madonna interpreton në Tel Aviv, ku ka qenë edhe në vitin 1993, në vitin 2009 e më pas në vitin 2012. Për çdo rast, vendin hebre ajo e ka vizituar dhe në raste të tjera, për shkak të interesit të treguar në lidhje me “Kabbalah”-në.
Prania e saj në “Eurovision” dëshmon se nuk i ka marrë parasysh kërkesat e bojkotimit të shfaqjes, të paraqitura në muajin janar nga një grup artistësh britanikë, me në krye Roger Waters të “Pink Floyd”, të cilët patën firmosur një peticion ku i kërkonin BBC-së të mos e transmetonte festivalin, për shkak të shkeljes sistematike që shteti izraelit iu bën të drejtave të palestinezëve.