Podgorcasit kundër vendimit të MASH, paralajmërojnë padi

Fadil Rexhoski, kryetar i Këshillit të prindërve të Podgorcës, paralajmëron ngritjen e padive për Nikolla Dimitrov, Lindita Qazimin, Pançe Kralev dhe Safet Neziri të cilët në cilësin e drejtuesve të MASH kanë shkelur të drejtat elementare të podgorcasve dhe kanë vepruar në mënyrë antihumane karshi tyre.

Gjithashtu Rexhoski paralajmëron padi edhe ndaj kryetarit të Komunës së Strugës Ramiz Merko dhe përgjegjësit Xhemi Hajredinit të cilët i akuzon se kanë ndryshuar qëndrim dhe kanë shkelur vendimet që vetë i kanë miratuar për klasët shqipe të Podgorcës.

“Këtë çështje unë do ta ndjek deri në fund deri te Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Kjo që po luhet për tre vjet me podgorcasit tejkalon çdo kufi të njerëzores dhe ata detyrimisht do të duhet të mbajnë përgjegjësi”, përfundon Rexhoski.

Ndërkohë nga Komuna e Strugës, ka respektuar sygjerimin e MASH dhe ka arritur të sigurojë transport për nxënësit shqiptar të Podgorcës, të cilët tashmë sipas vendimit të dikasterit të Arsimit do të duhet që mësimin në gjuhën shqipe ta vijojnë në Llabunisht dhe jo në shkollën ”Goce Dellcev” të Podgorcës, ku për tre vite e vijuan atë.

Nga pushteti vendor gjithashtu njoftojnë se në ditën e parë të fillimit të procesit mësimor, një pjesë nxënësve shqiptar të Podgorcës për herë të parë u pajisen edhe me certifikata për vitet e ndjekura, në një ceromoni të organizuar për këtë qëllim në Shkollën fillore ”Murat Labënishta” në fshatin Llabunisht.Para disa ditëve ministri i Arsimit dhe Shkencës ,Pançe Kralev ka informuar kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, se ka sjellë vendim që paralelet shqipe të Podgorcës, të transferohen dhe të funksionojnë në kuadër të shkollës së Llabunishtit.

Këtë vendim sipas pushtetit vendor të Strugës ministri e ka arsyetuar me faktin që numri i nxënësve shqiptar është i vogël për momentin dhe nuk e plotëson rregullin ligjor që një klasë të ketë të paktën 24 nxënës për tu themeluar. MASH rekomandon që nxënësit të transferohen në Labunisht deri në momentin që ky kriter të plotësohet.Mësimi në gjuhën shqipe në shkollën e Fshatit Podgorcë filloi në fillim të vitit 2010 pas kalimit të të gjitha procedurave të nevojshme që rregullojnë këtë problematik.Mësimi nisi pa shumë bujë dhe probleme, kurse pas kërkesës së prindërve Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte dhënë edhe lejen, e cila më pas menjëherë u tërhoq. Prej atëherë e deri më tani, askush nuk i bie në fije problemit, megjithëse prindërit i janë nënshtruar një presioni të madh pse i dërgojnë fëmijët të mësojnë në gjuhën shqipe. Presionet vijnë të koordinuara, dhe ndërlidhen me irritimin e maqedonasve pse një pjesë e popullatës deri tani e konsideruarpër ta si “maqedonas mysliman” fëmijët i dërgojnë të mësojnë në gjuhën shqipe.

Ndërkohë, të drejtën që fëmijët e tyre të mësojnë në gjuhën shqipe, podgorcasit e kanë kërkuar me ngulm brenda tre viteve. Ata kanë realizuar një sërë takimesh si me përfaqësues politik të vendit ashtu edhe me përfaqësitë diplomatike të akredituara në Maqedoni./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button