PDSH bojkoton koordinimin, BDI një orë e më parë të lëshojë qeverinë

Sot grupi parlamentar i Partisë Demokratike Shqiptare lëshoi koordinimin i cili mbahet të hënave te kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski në shenjë revolti për të tërhequr nga procedura parlamentare ligjin për branitellat.

“Kërkova zyrtarisht nga kryetari i Parlamentit që ta tërheq nga procedura parlamentari ligjin për branitellat. Vlerësojmë se tani është momenti për parandalim të miratimit të këtij ligji. Në vijë të kësaj ishte edhe përkrahja që PDSH i dha BDI-së me qëllim parandalimin e ligjit për branitellat. Momenti është tani para se të fillojë të shqyrtohet ky ligj në komisione dhe në seancë plenare që BDI të lëshoj qeverinë. Në qoftë se kjo nuk ndodh, ne vlerësojmë se është vetëm një pazarllëk i ulët dhe një dallavere e radhës e BDI-së të mësuar tashmë më kësi soj veprimesh në mandatin e tyre katër vjeçar, dhe gjithmonë si pasojë e këtyre veprimeve e pësojnë shqiptarët” tha koordinatori i grupit parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu.

Në qoftë se tani nuk ndodh ky ligj do të miratohet dhe fajin për miratimin e këtij ligji do të bart BDI, theksoi ai.

Pas kërkesës së tyre ata presin përgjigje zyrtare nga ana e kryetarit të Parlamentit gjithashtu edhe nga BDI, për atë se çfarë do të ndërmarrin për sa i përket kërkesës që ka të bëjë me tërheqjen e ligjit të branitellave nga procedura parlamentare.

“Kjo është mundësia e vetme e cila ekziston për parandalim të miratimit të këtij ligji i cili është ekskluzivisht në formë dhe në përmbajtje njënacional dhe antishqiptar” tha Aliu. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button