Kosovë, veriu sfidon vendimin për patentë-shoferët

Kreu i Këshillit Kombëtar Serb për veriun e Kosovës, Millan Ivanoviq ka vlerësuar se vendimi i qeverisë kosovare për zhvleftësimin e patentë-shoferëve të lëshuar nga MPB-ja e Serbisë është i papranueshëm dhe një gjë e tillë nuk do të zbatohet në veri të vendit. Autoritetet kosovare kanë bërë me dije se serbët e Kosovës duhet të pajisen me lejet e vozitjes të lëshuara nga autoritetet në Prishtinë dhe se nuk do vlejnë ato që lëshohen nga strukturat paralele të MPB-së serbe.

“Pjesëtarët e SHPK-së në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin për lejet e vozitjes, sepse ata duhet të jenë në shërbim të popullit dhe nën juridiksionin e komunave ku punojnë në veri”, ka thënë Ivanoviq për agjencitë serbe të lajmeve, transmeton Rel.

Ai ka vlerësuar se Serbia duhet të ndërmarrë masa reciproke në lidhje me këtë vendim të Prishtinës zyrtare.

Prishtina zyrtare ka probleme të vazhdueshme me komunitetin serb, kryesisht atë në pjesën veriore, meqë nuk pranon të pajiset me dokumentet e lëshuara nga autoritetet qendrore.

Një problem të ngjashëm ka pasur edhe me targat e automjeteve, një marrëveshje për të cilën çështje qe arritur në dialogun teknik në Bruksel.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button