Taksa doganore dhe dialogu mbizotërojnë edhe debatet për MSA-në

Taksa doganore 100 për qind që Qeveria e Kosovës u ka vënë importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina ka marrë vëmendje edhe në tryezën për trevjetorin e nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, transmeton REL.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka thënë se taksa është në kundërshtim me frymën e MSA-së.

“Tashmë, e kemi theksuar disa herë, taksa doganore nuk është në kundërshtim vetëm me marrëveshjen e CEFTA-s, por është në kundërshtim edhe me parimet e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Bashkimi Evropian si investuesi më i madh në Kosovë dhe partneri më i madh tregtar, është mjaft i shqetësuar dhe thekson se këto barriera ndaj tregtisë së lirë, qoftë të vendosura nga Kosova apo ndonjë shtet fqinj tjetër, pengojnë rrugën rajonale të integrimit ekonomik. Po ashtu, e bën vendin joatraktiv për investime të huaja”, tha Apostolova.

Përfaqësuesja e BE-së në Prishtinë shtoi se MSA-ja është një mundësi e mirë për Kosovën, pasi që ajo e bën atë të barabartë me partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Por, shtoi ajo, marrëveshja kërkon edhe përgjegjësi, duke përmendur edhe disa nga ngecjet e Kosovës.

“MSA-ja pos të mirave, sjell edhe përgjegjësi. Për shembull, sot bëhen 3 vjet prej kur ka hyrë në fuqi MSA-ja dhe afati kohor për të caktuar inventarin e ndihmës shtetërore sapo ka kaluar. Fatkeqësisht, në këtë drejtim ka pasur progres të vogël dhe i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës të lëvizë përpara në këtë angazhim”.

“Kosova ka bërë hapa serioz në fushën e konkurrencës dhe në të drejtat e pronësisë intelektuale, por pas dy vjetësh, Kosova duhet të garantojë dhe mbrojtje për të drejtat tregtare e industriale të pronësisë intelektuale, sikurse në vendet e BE-së, përfshirë edhe metodat efektive për zbatimin e këtyre të drejtave”, theksoi ajo.

Kryeministri Ramush Haradinaj pranoi se Kosova ka hasur në disa vështirësi në lidhje me zbatimin e MSA-së, duke i ndërlidhur ato me dialogun dhe procesin e liberalizimit të vizave, të cilin e ka quajtur “plagë në raportet Kosovë-BE”.

“Janë disa vështirësi në kohët e fundit të ndërlidhura edhe me dialogun dhe proceset tjera që kanë ndodhur, megjithatë ju siguroj se Qeveria e Kosovës nuk e ka hequr fokusin në zbatimin e MSA-së dhe punon ngushtë me gjithë ekipin e ambasadores Apostolova në Kosovë, në zbatim të MSA-së, në vlerësim, jami partnerë të përditshëm”.

“Një plagë e mbetur në marrëdhëniet Kosovë-BE është pamundësia e qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm. Shprehi falënderim të madh për komisionin edhe komisionerin, për përkrahjen dhe shprehjen e besimit për të drejtën për të lëvizur lirshëm. Më vjen mirë që edhe Parlamenti Evropian i ka dhënë një përkrahje në shumicë,” tha Haradinaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button