Ukrainë, qytetarët sot votojnë për presidentin e ardhshëm

Ukrainasit po votojnë sot në zgjedhjet presidenciale. Sondazhet sugjerojnë se 35 milionë qytetarët me të drejtë vote, duan të zgjedhin një udhëheqës që mund ta çojë vendin drejt paqes, pas pesë vjetësh luftime në lindje të vendit, por edhe të luftojë korrupsionin, në mënyrë që ish-republika sovjetike të dalë nga ngecja politike, njofton REL.

Vendvotimet në mbarë vendin janë hapur në orën 8:00, sipas kohës lokale dhe do të mbyllen në orën 20:00.

Rreth 39 mijë policë do të ofrojnë siguri në mbarë vendin. Po ashtu, anëtarët e njësive të forcave civile dhe të Gardës Kombëtare janë në gatishmëri për të ofruar ndihmë, në rast se ka incidente të rënda.

Qytetarët do të mund të zgjedhin për president njërin nga 39 kandidatët që po garojnë në këto zgjedhje. Por, shanse më të mëdha për të fituar këto zgjedhje presidenciale, sipas sondazheve, kanë vetëm tre prej tyre: presidenti aktual, Petro Poroshenko, ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko dhe aktori Volodymyr Zelenskyy.

Sipas një sondazhi të kryer nga Instituti i Kievit për Sociologji, Zelenskyy ka mbështetjen e 20,9 për qind të votuesve, pasuar nga Poroshenko me 13,7 për qind dhe Tymoshenko me 9,7 për qind.

Që të tre kandidatët që po udhëheqin në sondazhe shihen në përgjithësi si kandidatë me pikëpamje pro-perëndimore. Ndërkaq, asnjëri nga 36 kandidatët e tjerë, sipas sondazheve, nuk do të mund të fitojë më shumë se 10 për qind të votave. Në mesin e tyre është edhe ish-ministri Yuriy Boykov, një lider opozitar, i cili ka avokuar për përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë.

Nëse asnjëri nga kandidatët presidencialë nuk arrin të fitojë shumicën në raundin e parë, dy prej kandidatëve që fitojnë më së shumti vota, do të përballen në raundin e balotazhit më 21 prill.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button