ZGJOHU!: në Çair u respektua vullneti i prindërve

Lëvizja ZGJOHU! ka dalë me mbështetje të vendimit të Komunës së Çairit për ndryshimin e emrave të katër shkollave.

“Ky akt plotësoi një dëshirë të kamotshme të prindërve të nxënësve të cilët edukohen dhe arsimohen në këto shkolla. Vullneti i prindërve, nxënësve dhe të punësuarve në arsim, është i pacënueshëm dhe duhet të respektohet nga të gjithë pa përjashtim dhe në veçanti nga ato që drejtojnë institucionet dhe që duhet të janë në shërbim të qytetarëve” thuhet në komunikatën e kësaj lëvizjeje.

Sipas tyre asnjë e drejtë diskrete ministrore nuk mund të anashkalojë vullnetin e shumicës absolute shqiptare e cila në mënyrën më transparente dhe demokratike, përmes këshillave të prindërve të shkollave përkatëse, duke ju përmbajtur dispozitave ligjore, vendosën për ndryshim të emrave gjë që gjeti miratim nga ana e komunës Çair dhe u realizua para fillimit të këtij viti shkollor.

ZGJOHU! po ashtu mbështet edhe iniciativat e komunave tjera për ndryshimin e emrave të shkollave, rrugëve, etj, të trashëguara nga një sistem që e braktisëm së bashku, sipas vullnetit dhe dëshirës së popullatës lokale. 

“Për këto akte duhet të vendoset në nivel lokal e assesi në atë qendror. Miratimi i ministrit duhet të jetë akt formal e jo qenësor në formë të lejes ose për qëllime të politikës ditore” thonë nga kjo lëvizje. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button