Kralev dhe Shehtanski kërcënojnë Mexhitin, do të intervenojmë me polici?

Ministri i arsimit dhe shkencës Panco Kralev dhe  Drejtori i Inspektoratit shtetëror për vetëqeverisje lokale Vanço Shehtanski, kanë kërcënuar kreun e Komunës Çair Izet Mexhiti, se nëse vendos tabelat në katër shkollat e Çairit me emrat e ri, do të intervenojnë me ndihmën e policisë. Kështu shkruan numri i sotëm i gazetës “Dnevnik”.

Kralev, për Dnevnik ka thënë se pa miratimin e ministrisë nuk guxon asnjë shkollë të ndryshojë emrin. Por, nëse kjo ndodh, paralajmërimet e inspektoratit për vetëqeverisje lokale janë “se duhet patjetër të intervenohet me polici”.

“Nëse Komuna Çair, sic është paralajmëruar, vendos tabela me emra të ri të katër shkollave, kjo do të jetë joligjore dhe do të duhet të intervenohet patjetër me polici” ka kërcënuar Shehtanski. Ai konfirmoi se nuk ekziston vendim I këshillit të Komunës Çair për ndërrimin e emrave të shkollave, sepse ky vendim është hedhur poshtë nga ana e inspektoratit në momentin kur është shpallur në “Gazetën Zyrtare”.

Shehtanski gjithashtu ka thënë se nuk duhet ndokush ta paraqes rastin në polici dhe se policia do të intervenojë vetvetiu në heqjen e tabelave. Por siç shkruan më tej “Dnevnik”, nga MPB kanë deklaruar se do të reagojnë nëse ka ndonjë thirrje për prishje të rendit publik dhe qetësisë, ndërsa për rastin konkret janë përgjegjës vetë MASH-I dhe Komuna Çair.

Njeriu i parë i Çairit, Izet Mexhiti nuk deshi të komentojë deklaratat kërcënuese ndërsa vetëm na konfirmoi se të hënën do të bëhet shpalosja e tabelave të katër shkollave me emrat e ri.

Por, zëvendës ministri shqiptar për arsim dhe shkencë Safet Neziri, as sot nuk ishte i kapshëm për mediat për të komentuar vendimin e një anshëm të Komunës Çair, dhe dispozitat ligjore të Ministrisë për arsim dhe shkencë, për mënyrën dhe procedurën e ndërrimit të emrave të shkollave në Maqedoni.

Ndryshe, dje Muzafer Rexhepi përgjegjës për arsim fillor në Çair, na tha se çdo përgjegjësi do ta mbaj ai.

Me këtë vendim të njëanshëm të Komunës Çair, nga e hëna, respektivisht kur edhe fillon viti i ri shkollor 2012/2013, Shkolla fillore “Cvetan Dimov” quhet “Hasan Prishtina”, shkolla “Rajko Zhinzifov “Ismail Qemali”, shkolla fillore “Jane Sandanski” – “Jashar Beu” dhe shkolla “Nikolla Vapcarov” quhet “Imri Elezi”./Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button