Ankandi publik për veturat e policisë do të përsëritet

Për shkak të parregullsive dhe pengesave teknike në sistem nga byroja e furnizimeve publike informuan se do të mundësojnë përsëritjen e ankandit publik elektronik për furnizimin e veturave për nevojat e policisë. Sipas Byrosë ofertuesit janë pamundësuar të ofrojnë çmime të reja më të ulëta në minutat e fundit të ankandit. 

Kompania “Porsche Makedonija”, një nga pesë subjektet që konkurruan në ankandin e Ministrisë së Brendshm pas mbylljes së ankandit është ankuar se faqja e internetit ka qenë e bllokuar, duke e penguar të ofroj një shumë më të ulët se kompania rivale “Ka-Dis”, oferta e të cilës u zgjodh si më e lirë.

 “Në orën 12 e 22 minuta u bllokua qasja në ueb faqen e internetit të Byrosë së furnizimeve publike, në të cilën ishte duke vijuar ankandi për blerjen e 150 automjeteve të ministrisë së Brendshme. Në fushën e duhur në ofruam çmim më të ulët, në shumë prej 209.5 milionë denarë, por sistemi nuk bëri azhurnimin e të dhënave. Në këtë mënyrë na është cenuar e drejta për të marrë pjesë deri në fund në ankandin publik dhe për të ofruar një ofertë më të lirë nga oferta e pranuar si më e lirë”, thuhet në njoftimin e kompanisë “Porsche Makedonija”, e cila ka reaguar menjëherë pas mbylljes së ankandit të hapur për nevojat e Ministrisë së Brendshme. 

Kjo kompani njëkohësisht ka njoftuar deponimin e një ankese pranë Byrosë së furnizimeve publike dhe Komisionit të tenderit, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme. Si provë më të fortë për problemet gjatë ankandit “Porsche” ka paralajmëruar inçizimet, me të cilat sipas zyrtarëve të kompanisë mund të shihet qartë bllokimi i qasjes në faqen ku është zhvilluar ankandi për 150 automjetet policore.  

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, si ofertë më e lirë gjatë ankandit u zgjodh ajo e kompanisë “Ka-Dis”, e cila për nevojat e policisë ofroi automjetin “Seat Altea Fritrek”, i cili përdoret nga policia spanjolle. 

Lajme të ngjashme

Back to top button