Strugë, ministria mbyll paralele me mësim shqip

Kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko në prag të fillimit të vitit shkollor i ka njoftuar prindërit e nxënësve të shkollës në fshatin Podgorcë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur t’i mbyllë paralelet në gjuhën shqipe në këtë shkollë.

Në mars këto prindër vendosën të bojkotojnë mësimin në gjuhën shqipe dhe kërkuan nga zëvendësministri i arsimit të legalizojë paralelet me mësim në gjuhën shqipe në këtë fshat. 
Kryetari i Këshillit të prindërve të nxënësve, Fadil Ramadani- Rexhoski, për agjencinë e lajmeve INA ka thënë se njoftimi  nga kryetari i Strugës ju është dhënë në mbrëmjen e së mërkurës, me rastin e një vizite private tek njëri nga prindërit e nxënësve që kanë vijuar mësimin në gjuhën shqipe. 

Ai ka potencuar se mënyra si është komunikuar lajmi thuajse në mënyrë ilegale ka qenë tejet befasuese për to, është dashur që Këshilli i prindërve të ishte ftuar në takim dhe do të informoheshim drejtë, ka thënë ai.

 “Kemi përjetuar premtime, kërcënime me gjyq, manipulime, diskriminime, margjinalizime, mospërfillje, injorime nga më të ndryshmet nga autoritetet kompetente, për kërkesat tona  për zgjidhjen e problemit të nxënësve që kanë vijuar mësimin në gjuhën shqipe. Kemi pas takim edhe me zëvendësministrin e arsimit dhe na është premtuar dhe garantuar zgjidhja e problemit, në kohën kur filluam ta bojkotojmë mësimin, por ja rezultati i atyre premtimeve është komunikata e Ministrisë së arsimit, ministrit Kralev, që na është përcjellë përmes kryetarit të komunës Ramiz Merko, për mbylljen e paraleleve në gjuhën shqipe”-ka thënë në vazhdim Fadil Ramadani-Rexhoski.

Sipas tij, edhe pse ka pasur premtime nga zyrtarët për zgjidhjen e problemit, shkolla është mbyllur.

 “Nga kryetari i komunës na është premtuar se problemi do të zgjidhet në të mirë të nxënësve dhe prindërve të tyre. Premtime të tilla kemi pasë edhe nga ish ministri dhe zëvëndësja e tij e arsimit, Nikolla Todorov dhe Lindita Qazimi. Po të njëjtat premtime i kemi pasë edhe nga ish deputeti Tahir Hani. Së fundmi, edhe nga zëvendësministri aktual i arsimit Safet Neziri, por nga këto premtime nuk është bërë asgjë për fëmijët tanë”, theksoi Fadil Ramadani-Rexhoski.
Prindërit kanë shprehur pakënaqësinë për neglizhencën e autoriteteve dhe zyrtarëve të lartë qeveritar nga treva e Strugës, duke theksuar se askush nuk është interesuar për gjendjen në këtë shkollë, ku kërkesat e prindërve janë krejtësisht të natyrshme, legale, legjitime  dhe kushtetuese.

“Ne jemi shqiptar dhe dëshirojmë që fëmijët tanë të mësojnë në gjuhën shqipe, që është e drejtë elementare dhe e  patjetërsueshme. Për “dyshimet se a jemi apo jo shqiptar, gjatë një takimi me ish-ministrin e arsimit Todorov, prindërit janë pyetur në mënyrë provokative se a janë shqiptar?  Po nga ky ish ministër është thënë dhe premtuar se do të bëhet ndryshimi i Statutit të shkollës dhe shkolla do të bëhet shkollë dygjuhësore për tu zgjidhë ky problem, por nga ana tjetër kjo nuk është bërë. Me atë rast bile ish ministri Todorov u ka thënë podgorcasve se kjo është punë e kryer dhe do të pasojë zyrtarizimi, por përsëri asgjë nga ky premtim”, janë ankuar prindërit e nxënësve shqiptar.

Vërejtjet e shumta të podgorcasve janë adresuar vazhdimisht në drejtim të zv/ministrit të financave Nedim Ramizi, të cilit ia zënë për të madhe që vazhdimisht ka insistuar që nxënësit e Podgorcës të vazhdojnë mësimin në Llabunishtë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button