U kompletua lista e kandidaturave për presidencialet në RMV: Paralajmërohet fushatë e veçantë
Sot edhe zyrtarisht është kompletuar lista e kandidaturave për zgjedhjet presidenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV). Më 21 prill, në garë do të jenë kandidati i pavarur, Blerim Reka, kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska dhe kandidati i 30 partive politike, Stevo Pendarovski, transmeton Portalb.mk.
Të gjithë premtuan fushatë të veçantë.
Shefi i Shtabit Zgjedhor i Pendarovskit, Aleksandar Kiracovski premtoi se do të ketë fushatë të qetë, dinjitoze dhe demorkatike.
“Si shef i Shtabit Zgjedhor, ju siguroj se do të kemi fushatë të qetë, dinjitoze, dhe që do ta pasqyrojë shoqërinë demokratike”, tha Kiracovski.
Kandidaturën në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) sot e ka dorëzuar edhe Gordana Siljanovska, ku shefi i Shtabit Zgjedhor, Vllado Misajllovski premtoi se do të zhvillojnë fushatë evropiane.
“Sot është ditë e mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, sepse kemi një kandidat të shkëlqyer, kandidat që do ta pranojnë shumica e qytetarëve dhe që do të bashkohemi drejt një fitoreje të madhe të Republikës së Maqedonisë”, tha Misajllovski.
Ditë më parë, kandidaturën e ka dorëzuar edhe kandidati i pavarur, i mbështetur nga partitë shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizja BESA, Blerim Reka. Shefi i Shtabit Zgjedhor, Florin Asani tha se vëmendja e fushatës nuk janë vetëm shqiptarët, por të gjithë qytetarët e RMV-së.
“Koncepti i profesorit Blerim Reka e bën atë të veçantë nga kandidatët e tjerë. Ne preferojmë që ai vet ta prezantojë programin e tij. Do të kemi një fushatë pak më ndryshe, do të kemi një koncept të ri”, tha Asani në ditën e dorëzimit të kandidaturës.
Nesër shorti për numrin e kandidatëve në fletë votim
Se cilin numër rendor do ta kenë kandidatët në fletën e votimit, do të vendoset nesër me short, njoftoi sot kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski.
Ai ka vërtetuar se në KSHZ janë dorëzuar tri kandidatura, me çka apeloi që kandidatët t’u shmangen paraqitjeve publikeve dhe deklaratave deri më 1 prill, kur edhe zyrtarisht do të fillojë fushata zgjedhore, për të përfunduar më 19 prill. Pas kësaj do të pasojë heshtje zgjedhore prej 48 orësh. Rrethi i parë zgjedhor për zgjedhjet e gjashta presidenciale do të jetë më 21 prill, ndërsa i dyti më 5 maj. Rreth të dytë do të kemi nëse asnjë kandidat për president nuk e fiton shumicën e nevojshme të votave.
Bashkë me zgjedhjet presidenciale, zgjedhje lokale do të mbahen edhe në tri komuna: Dibër, Ohër dhe Novoselë.