Shkup, u shënua dita botërore e sindromës Down

Qendra për Sindromën Down në Maqedoninë e Veriut ka organizuar disa ngjarje me rastin e 21 Marsit, Ditës botërore të sindromës Down, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të fushatës që mbart parullën “Jetojmë në një botë të njëjtë”, janë organizuar disa ngjarje, duke filluar nga 19 marsi me përgatitjen e dekorimeve të ndryshme nga fëmijët me sindromën Down, prezantimin e video materialit “Hey you, listen” të artistes Stefanija Milevska, si dhe ngjarje tjera.

Kryetarja e Qendrës për Sindromën Down, Ida Manton, apeloi që personat me sindromën Down të mos konsiderohen si të sëmurë, duke shpjeguar se kjo është gjendje kromozomale, andaj bëri thirrje që të mos ketë diskriminime në këtë aspekt. Ajo theksoi se Maqedonia e Veriut është ndër vendet e pakta që organizojnë më shumë ngjarje që i adresohen ditës ndërkombëtare të sindromës Down.

“Kam nderin dhe kënaqësinë që po shënojmë 21 Marsin, Ditën botërore të sindromës Down, me çka mund të jem posaçërisht krenare pasi këtë datë e shënojmë disa vite me radhë dhe kemi arritur që Maqedoninë ta vendosim në listat e atyre vendeve që kanë numër më të madh të ngjarjeve të organizuara”, tha Manton.

Ajo thotë se fatkeqësisht, institucionet e vendit nuk mund të ofrojnë shërbimet në nivel të vendeve evropiane, duke theksuar se personat me sindromën Down kanë ngadalësi në zhvillim, andaj kanë nevoja që duhet përmbushur.

Manton theksoi se sektori civil nuk mund të bëjë ndryshime sistematike, por vetëm mund të bëjë thirrje që të gjithë t’i pranojnë njerëzit me sindromën Down dhe t’i kyçin në të gjitha sferat.

Artistja Stefanija Milevska, e cila ka punuar në video materialin e saj “Hey you, listen”, tha se në të përfshihet më shumë kategori të njerëzve me aftësi të kufizuara. Ajo theksoi se është inspiruar nga vëllai i saj i cili ndërroi jetë në moshën 38 vjeçare nga paraliza cerebrale, të cilit edhe ia ka kushtuar këtë projekt.

“Në Qendrën Anastasija në Manastir jam e angazhuar qëmoti, merrem me terapi muzikore, vallëzim dhe muzikë dhe në fakt edhe në këtë video i kam përfshirë nxënësit e mi dhe personat që i njoh e që më kanë ndryshuar personalitetin tim”, tha Milevska.

Në kuadër të fushatës për shënimin e ditës botërore të sindromës Down, të dielën më 24 mars në parkun e qytetit të Shkupit do të organizohet edhe një garë humanitare në vrapim me moton “Run for Down”. Fushata është përkrahur nga Bashkimi Evropian (BE) dhe UNICEF.

21 Marsi, Dita botërore e sindromës Down, shënohet nga Kombet e Bashkuara (OKB) që nga viti 2012. Kjo datë është përzgjedhur për shkak se personat e prekur nga kjo sindromë kanë problem me kromozomin e 21-të. Sindroma Down është njëra nga më të vjetrat që është regjistruar në historinë e njerëzimit. Përshkrimi për herë të parë është bërë nga doktori anglez Jon Down në vitin 1866, andaj kjo sindromë mban emrin e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button