Kosovë, mbeten të zhdukur ende 1770 persona

Tash e 13 vjet Nesrete Kumnova nga Gjakova ende pret që t’i zbardhet fati i të birit të vetëm të humbur në luftë. Çdo ditë ajo kërkon gjurmë të djalit të saj Albionit. Ankthi i pritjes për zonjën Kumnova vazhdon edhe sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur.

Komnova kritikon autoritetet e Kosovës se nuk janë dukë bërë të duhurën për zbardhjen e fatit të djalit të saj dhe të gjithë personave tjerë të pagjetur.

“Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve. Kjo është një datë që shënohet në tërë botën dhe dihet që tërë bota ka pas të zhdukur, por në Kosovë po bëhen 13 vite pas luftës dhe Kosovës i mungojnë 1770 qytetar të saj në mesin e tyre mungon edhe djali im i vetëm Albioni. Është shumë vështirë që 13 vite unë si nënë dhe gjitha nënat e Kosovës kemi trokitur dhe vazhdojmë të trokasim në çdo derë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, vetëm e vetëm që të zbardhet fati i më të dashurve tanë”, thekson Kumnova.

Sensibilizimi i opinionit vetëm nga familjarët, thotë Kumnova, nuk e ndihmon zgjidhjen e këtij problemi 13 vjeçar. Sipas saj, institucionet vendore dhe ndërkombëtare nuk e kanë bërë presionin e duhur.

Adresa për gjetjen e këtyre personave është e qartë, thekson Kumnova. Duhet të kërkohet hapja e dosjeve nga shteti i Serbisë, shton ajo, duke shtuar se Serbia di për vendndodhjen e birit të saj dhe të gjithë personave tjerë.

“Është mëkat i institucioneve vendore ndërkombëtare që trupat e më të dashurve tanë ende pushojnë në varrezat e kriminelëve në Serbi. Ata nuk e meritojnë këtë, por meritojnë që të kthehen sa më shpejt në tokën e tyre, sepse të gjithë e dimë se kanë shkuar për lirin e Kosovës. Është një brengë e madhe shpirtërore që po vazhdon të lëndojë zemrat e nënave, baballarëve, grave dhe fëmijëve”, thekson Kumnova.

Në vitin 2010, Serbia kishte zbuluar një varr masiv në Rashkë, vendbanim ky në jug të Serbisë, ku dyshohet se gjenden trupat e pajetë të rreth 250 shqiptarëve. Ata besohet se janë vrarë gjatë luftës të viteve 1998-1999 në Kosovë.

Autoritetet kosovare në atë kohë kishin kërkuar që të jenë të pranishëm gjatë këtyre proceseve, por edhe pas dy vjetësh, Serbia vazhdon ta mbajë peng rastin e Rashkës.

Për një varrezë masive, po ashtu, ishte dyshuar edhe në Kosovë me lokacionin Zhilivodë të Vushtrrisë. Pas dy vjetësh punë intensive në këtë lokacion, hulumtimet kishin përfunduar në fillim të këtij muaji. Rasti ishte mbyllur dhe autoritetet mjekoligjore nuk kanë gjetur mbetje mortore njerëzish në këtë lokacion.

Ndërkohë, institucionet e Kosovës vazhdojnë të kërkojnë nga ndërkombëtarët që të bëjnë trysni ndaj Beogradit për zbardhjen e personave të pagjetur.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj thotë për Radion Evropa e Lirë se janë në pritje për të marrjes së ndonjë informacion nga Serbia për varrezën masive në Rashkë.

“Sa i përket regjionit të Rashkës dhe një vendi të dyshuar në regjionin e Rashkës, ne presim informacione nga Serbia për të na caktuar lokacionin e saktë ku do të bëhen gërmime vlerësuese, sepse atje jo vetëm pse dyshohet, po ka edhe të dhëna të bazuara që është një varrezë masive”, thotë Gjetaj.

Deri tani, varri masiv më i madh në Serbi është zbuluar në vitin 2001, në rrethinat e Beogradit. Aty gjendeshin kufomat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Aktualisht, në planin për hulumtime dhe gërmime për gjetjen e 1770 personave të zhdukur, thekson Gjetaj, janë disa vende në hapësirën e Kosovës.

Disa lokacione, sipas tij, janë në rajonin e Mitrovicës në pjesën veriore, në të cilat, siç thekson ai, rrethanat dhe situata atje po e pengojnë një hulumtim të tillë.

Zbardhja e fatit të edhe 1770 personave – shumica të përkatësisë etnike shqiptare, të tjerët nga komunitetet pakicë – sipas Gjetaj, është shumë e vështirë edhe për shkak të mungesës së informacioneve.

“Kryesisht mungesa e informacioneve, sepse as mjetet, as angazhimet nuk mungojnë, por informacionet janë të zbehta ose jo të besueshme, kështu që kjo çështje ka ngecur pikërisht për këtë arsye. Prandaj apelojmë që gjithë ata si qytetarë, si familjarë, kushdo qoftë që disponon ndonjë informacion, të na i sjellë. Ka forma edhe mundësi që të ruhet edhe konsipirativiteti i marrjes nga dëshmitari apo informatori”, thekson Gjetaj.

Ndërkohë, familjarët e personave të pagjetur, siç është Nesrete Kumnova, në Ditën Ndërkombëtare të të pagjeturve, nuk do t’i ripërtërijnë fotografitë e personave të pagjetur, të varura në rrethojat e ndërtesës së Kuvendit.

Në Ditën Ndërkombëtare të të pagjeturve, Komuna e Prishtinës do të vërë gurëthemelin e një memoriali ku do të kujtohen të gjithë të rënët dhe të pagjeturit e luftë së fundit në Kosovë. /rel/

Lajme të ngjashme

Back to top button