(FOTO) Kë kërcënon Qeveria në Tetovë?

“Lufta për Maqedoninë asnjëherë nuk ndërpritet 1903-2012 ” është mesazhi në bilbordin që gjendet në afërsi të Xhamisë së larme në Tetovë. Atë e ka vendosur Qeveria e Maqedonisë. Ky dhe shumë të tjerë janë pjesë e mesazheve të nacionalizmit të shfrenuar institucional maqedonas, i cili ka impakt partiak-politik, vlerësojnë komunikologët.

Pyetëm në Qeveri cilin armik e luftojnë luftëtarët maqedonas në këtë bilbord dhe kundër kujt janë drejtuar këto armë që duken në foto?


Nga Qeveria shkurtë na thanë që bilbordët janë vendosur për shënimin e kryengritjes së Ilindenit dhe se së shpejti priten të reja për 8 shtatorin. Por mbetet e paqartë pse vazhdon lufta edhe në vitin 2012 kur dihet se kryengritja ka mbaruar që moti?

“Mesazhet që paraqiten në bilborde kanë konotacione politike-etnike dhe militariste, janë paralajmërime virtuale për qytetarët se në perspektivë po të jetë nevoja do të luftohet për mbrojtjen e shtetit unitar të Maqedonisë. Porositë e këtilla që kanë lidhshmëri me dimensionin historik, në esencë bëhen për të pasur efekte dhe ndikim në kontekstin aktual politik, sepse kanë për qëllim të dëshmojnë se brenda etnisë maqedonase është gjallë fryma luftarake. Këto porosi janë pjesë e marketingut politik të VMRO-DPMNE-së se lufton për idealet etnike maqedonase, pasi si parti vazhdon të pretendojë në kontinuitetin historik të VMRO-së së 1903. Bëhet fjalë për mesazhe të nacionalizmit të shfrenuar institucional maqedonas, i cili ka impakt partiak-politik” komenton për Portalb komunikologu Sefer Tahiri.

Skandaloze është dhe fakti që mbishkrim i ngjashëm mund të shihet në afërsi të kazermës së Tetovës afër qendrës tregtare Tetovarja. I shkruar nga dora e  simpatizantëve të VMRO-DPMNE-së.  Në këtë foto jepet betimi para Zotit se ata do të mbrojnë me nder Tetovën me dhe Maqedoninë. Por kush janë armiqtë e tyre, kundër kujt do të mbrohen akoma ngelet një pikëpyetje?

Ndërkaq, nëse vizatimi i hartës së Shqipërisë etnike nga Ilyricum Libertas klasifikohet si akt i nxitjes e urrejtjes ndër-etnike, grafti i fundit a nuk duhet konsideruar si i tillë? /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button