Kosovë, LDK tërhiqet nga Komisioni për reformën zgjedhore

Lidhja Demokratike e Kosovës është tërhequr sot përfundimisht nga Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore të Republikës së Kosovës. Këtë vendim e ka bërë publik, kryetari i këtij komisioni që është nga LDK-ja, deputeti Haki Demolli.

“Që nga sot LDK-ja nuk do të jetë pjesë e komisionit derisa nuk respektohet marrëveshja për presidentin e arritur në rezolutën të cilën e kemi përkrahur edhe ne”, ka thënë deputeti Demolli. Ai ka shtuar se LDK-ja do t’i kthehet punës së komisionit në momentin kur të ndryshohen rrethanat dhe kur PDK-ja do ta respektojë marrëveshjen për presidentin. Ky vendim, sipas anëtarit tjetër të LDK-së, Imri Ahmeti është imponuar direkt nga kryeministri Hashim Thaçi. “Qëndrimi jonë për t’u larguar nga komisioni na është imponuar direkt nga kryeministri Hashim Thaçi dhe nga askush tjetër”, është shprehur Ahmeti. 

Nga ana tjetër nënkryetari i komisionit nga PDK-ja Halit Krasniqi i ka ftuar kolegët e tij nga LDK-ja që të vazhdojnë punën dhe të mos largohen nga komisioni pasi që sipas tij ky është lajm i keq në kohën kur Kosova është në fazën e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur’

“Është lajm i keq për komisionin, opinionin dhe institucionin. Ju ftoj që ta korrigjoni veprimin dhe komisioni ti kthehet punës normale”, ka ftuar Krasniqi./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button