RDK: Kriza politike, skenar për zgjedhje të parakohshme

Rilindja Demokratike Kombëtare ka reaguar sot ndaj krizës qeveritare duke e konsideruar atë si skenar të përgatitur nga partitë qeveritare për zgjedhje të parakohshme, dhe duke komentuar, siç thonë ata, (mos)marrëveshjet mes partnerëve të koalicionit.

“(Mos)vafsh,  (mos)bëfsh  (mos) u gëzofsh dhe shumë (mos)-a tjerë që nuk ia vlen t’i përmendim, por gjithsesi  mund të zënë vend në bëmat dhe të pabërat e koalicionit qeverisës BDI-VMRO, pa mos na brejtur fare ndërgjegjja.
(Mos)marrëveshjet me rastin e emërimit të guvernatorit të Bankës Popullore të Maqedonisë dhe disa (mos)marrëveshje të vogla rreth ndarjes së buxhetit – projektit famoz Shkupi 2014 etj. – janë punë e vogël kundrejt stabilitetit në shtet, e sidomos të kuadrove tona” – kështu mendojnë dhe arsyetojnë në BDI” – thuhet në kumtesën e RDK-së.

Nga kjo parti thonë se kjo krizë politike, që nga vizita e ministrit Besimi në Sllupçan, është skenar për zgjedhje të parakohshme.

“(Mos)marrëveshja e fundit më kuptimplote për koalicionin është, mesa duket, skenari i ditëve të fundit i (mos)marrëveshjes BDI-VMRO, që njëherë ministri i mbrojtjes së bashku me disa eprorë të ARM-së të shkojë në Sllupçan, e pastaj të vihet në sprovë dinjiteti i kombit maqedonas (siç pretendojnë ata) popullit më të lashtë në Ballkan, ta detyrojnë ministrin të pendohet dhe të propozojnë Ligjin për “branitellat” dhe  kinse duke sfiduar BDI-në të del nga qeveria, të shkohet në  zgjedhje” – thonë nga RDK.

Sipas tyre nga këto zgjedhje të parakohshme më së shumti do të fitojë VMRO, e cila mes tjerash do të sjellë edhe ligjin për branitellat, të cilin nuk kishte se si ta sjell ndryshe.

“Çka fiton VMRO me këtë skenar? Së pari, fiton  ligj të cilin ndryshe nuk mundi  ta shtyjë, ligj  me beneficione të majme për “branitellat”, duke shfrytëzuar paratë e të gjithëve, madje edhe të atyre  familjeve që për qejf të nishanit të “branitellit”, janë pa më të dashurit e tyre, kurse edhe sot, pas shumë viteve nga konflikti i vitit 2001, mbeten pa kulm mbi kokë dhe me shumë probleme ekzistenciale. Nga ana tjetër fiton projektin “Shkupi 2014” të kompletuar edhe me një sukses që do i rriste rejtingun Gruevskit që në zgjedhje  të  lavdërohet se 100 hapat e rilindjes i ka bërë me shpejtësi marramendëse, sidomos për Ali Ahmetin dhe partinë e tij (BDI).

Çka fiton BDI nga zgjedhjet e parakohshme duke u inatosur dhe duke e lëshuar qeverinë? Ndoshta pak rejting te ata pak qytetarë-aktivistë të tyre të cilët ende qorrazi besojnë se këta “E mbajnë fjalën”, por ndaj kujt se?! Ndaj shqiptarëve… qysh moti na siguruan se JO, ngase nuk e mbajtën fjalën kurrë dhe nuk bënë asnjë punë në dobi të shqiptarëve, e për të cilën vazhdojnë të zotohen krejt rrejshëm” – thuhet në kumtesën e RDK-së./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button